SafeJournalists: Pegasus kundër gazetareve në Serbi – Armë e papranueshme për heshtje

SafeJournalists: Pegasus kundër gazetareve në Serbi – Armë e papranueshme për heshtje
photo: canva

Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër përpjekjen për mbikëqyrje digjitale të gazetareve të Rrjetit Ballkanik për Raportim Investigativ (BIRN) në Serbi përmes softuerit spiunues Pegasus. Kjo është një shkelje e rëndë e së drejtës për privatësi dhe të drejtës për punë të sigurt të gazetarëve, e evidentuar nga Amnesty International.

Dy gazetare të Rrjetit Ballkanik për Raportim Investigativ (BIRN) nga Serbia ishin në shënjestër të një përpjekjeje të dështuar për spiunim duke përdorur softuerin izraelit Pegasus, i cili, sipas BIRN, u konfirmua nga një analizë forenzike e kryer nga Amnesty International (AI).
Më 14 shkurt 2025, me një diferencë prej më pak se një ore, të dyja gazetaret morën mesazhe nga i njëjti numër, i regjistruar në operatorin shtetëror Telekom Srbija. Mesazhet përmbanin tekst në serbisht dhe një link të dëmshëm që të çonte në një version të rrejshëm të portalit N1.

BIRN, pasi dyshoi se bëhej fjalë për një përpjekje për spiunim, kërkoi ndihmën e laboratorit të sigurisë të AI. Analiza e tyre forenzike konfirmoi se gazetarët ishin në shënjestër të një përpjekjeje të dështuar për të instaluar softuerin spiun Pegasus, i zhvilluar nga kompania izraelite NSO Group.

AI arriti në përfundimin se është shumë e mundshme që një ose më shumë aktorë nga aparati shtetëror serb, ose agjentë që veprojnë në emër të tyre, të kenë qenë të përfshirë në këtë përdorim të fundit të softuerit spiun Pegasus për të shënjestruar dy gazetare hulumtuese të BIRN-it.

Rastet e gazetarëve të BIRN-it janë rasti i shtatë dhe i tetë gjatë dy viteve të fundit, në të cilat laboratori i sigurisë i AI ka zbuluar përdorimin e softuerëve spiun Pegasus dhe Novy ndaj përfaqësuesve të medias dhe shoqërisë civile në Serbi.

Veçanërisht shqetësues është fakti që NSO Group duket se vazhdon të lejojë përdorimin e softuerit Pegasus në Serbi, pavarësisht nga dokumentimi i të gjitha rasteve nga Amnesty International, që dëshmojnë keqpërdorimin e tij në vend.

Pas atij raporti, Cellebrite, teknologjia e së cilës gjithashtu është keqpërdorur për të monitoruar dhe përgjuar gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile në Serbi, vendosi të pezullojë përdorimin e pajisjeve të saj të hetimit digjital për disa nga klientët e saj në vend.

Rrjeti SafeJournalists u bën thirrje institucioneve kompetente të hetojnë këtë rast. Asnjë nga rastet e regjistruara nga AI në raportin e dhjetorit të vitit të kaluar ende nuk është zgjidhur.

Rrjeti u bën thirrje organizatave ndërkombëtare për lirinë e medias, donatorëve, institucioneve të Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe mekanizmave të posaçëm të OKB-së që t’i kushtojnë vëmendje këtij rasti alarmues dhe të ushtrojnë presion mbi autoritetet në Serbi për të ndaluar mbikëqyrjen e paligjshme të gazetarëve.
Gjithashtu, ne i bëjmë thirrje kompanisë NSO Group që, ashtu si Cellebrite, të revokojë licencat e përdoruesve në Serbi për shkak të keqpërdorimit të pajisjeve të hetimit digjital.

Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë do të ofrojë të gjithë mbështetjen e nevojshme ligjore dhe psikologjike për gazetaret e dëmtuara.

Rrjeti SafeJournalists do të informojë si aktorët kombëtarë, ashtu edhe ata ndërkombëtarë mbi këto zhvillime shqetësuese.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.