Javët e fundit në Shqipëri ka pasur disa raste që kërcënojnë pavarësinë e punës së gazetarëve në Shqipëri përmes rritjes së numrit të proceseve gjyqësore kundër tyre, veçanërisht ndaj gazetarëve hulumtues. SLAPP (Paditë Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike) po bëhen të shpeshta në peisazhin e mediave shqiptare si një mekanizëm për të censuruar, frikësuar ose heshtur media të pavarura, gazetarë hulumtues dhe kritikë duke i ngarkuar ata me koston e mbrojtjes ligjore derisa të braktisin kritikën e tyre apo çështjen që raportojnë. Ka pasur tre raste të SLAPP në Shqipëri vetëm në javët e fundit, duke kontribuar në përkeqësimin e lirisë së medias.
Rastet SLAPP në Dhjetor 2020 kanë të bëjnë me partneritetin publik-privat të Qeverisë së Shqipërisë në lidhje me inceneratorët në Elbasan. Në javën e parë të dhjetorit, BIRN Albania u padit për artikujt investigues lidhur me inceneratorët. Rasti i dytë SLAPP është kundër Artan Rama, gazetar investigativ, që botoi në 6 nëntor artikullin investigative “Prapaskenat e një kontrate të dytë për Inceneratorin e Elbasanit.” Më parë, Shefi i Kabinetit të Ministrisë së Mbrojtjes paditi gazetarin Juli Ristanin, e cila publikoi një artikull investigativ rreth marrjes së bursave për studime mjekësore ushtarake në Greqi, të ofruara nga NATO.
BIRN Albania i qëndron raportit dhe tha se ata janë të gatshëm ta luftojnë çështjen në gjykatë. Procesi gjyqësor erdhi pasi BIRN Albania publikoi një artikull rreth inceneratorëve. Kristina Voko, drejtuese ekzekutive e BIRN Albania, u shpreh për Citizens Channel se “Padia është dukshëm e pabazë dhe dukshëm ka për qëllim të frikësojë gazetarët përmes proceseve të kushtueshme dhe të gjata ligjore në mënyrë që të ngurrojnë para se të raportojnë”. I pyetur nga BIRN Albania, Artan Rama thotë se i qëndron artikullit dhe se do e luftojnë çështjen në gjykatë. ” Mendoj se ka dy qëllime. E para, një tentativë e kompanisë për të prezantuar në publik një imazh pozitiv, pasi duke ia kaluar çështjen një gjykate (kompania) shpreson se mund të përcjellë publikisht, a priori, idenë se mbi të është bërë një padrejtësi dhe e dyta, një kërcënim për cilido gazetar që përfshihet në raportime lidhur me kontratat koncesionare të partneritet publik-privat, ku përfshihen këto kompani,” tha Rama për Citizen Channel.
Ekspertët e medias, organizatat e shoqërisë civile dhe organizata të tjera të pavarura mediatike kanë reaguar, duke theksuar se këto procese gjyqësore kanë pak bazë ligjore por po përdoren si një mekanizëm për të frikësuar dhe censuruar hetimin e korrupsionit.
Blerjana Bino, hulumtuese e SafeJournalists, thekson se “Në Shqipëri, ne jemi dëshmitarë të përpjekjeve të vazhdueshme për të goditur mediat e pavarura siç është çështja me SLAPP kundër gazetarëve investigativë dhe rritja e dënimeve penale për shpifje. Kohët e fundit, një dokument pune i Ministrisë së Drejtësisë, i dalë në media, tregon përpjekjet e Qeverisë për të forcuar ndëshkimet e mëtejshme për shpifjen, e cila tashmë është një vepër penale në Shqipëri në kundërshtim me praktikat më të mira ndërkombëtare. Kështu, ato pak media të pavarura që janë në vend përballen me presione, intimidime dhe kërcënime në mënyra të ndryshme. Mendoj që këto media kanë nevojë për mbështetje për të kundërshtuar pushtetin abuziv.”
SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8 mijë e 200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, qëndron në solidaritet me kolegët shqiptarë dhe shpreh shqetësimin për praktikat e pafavorshme gjyqësore kundër mediave. Gjithashtu, Rrjeti i dënon përpjekjet e Qeverisë për të kaluar rregulla kufizuese duke rritur dënimet për shpifje dhe duke ndikuar në punën e pavarur të mediave.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Beograd – Podgorica – Prishtina– Sarajevë – Shkup – Zagreb, 11.12.2020
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës
Sindikata e Mediave e Malit të Zi
Asociacioni i Gazetarëve Kroatë
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë