SafeJournalists: Siguria e gazetarëve në Kosovë vazhdon të jetë në rrezik

SafeJournalists: Siguria e gazetarëve në Kosovë vazhdon të jetë në rrezik
photo: canva

Në Zveçan dhe në Mitrovicë të Veriut, gjatë ditës së djeshme kanë ndodhur disa incidente në të cilat janë sulmuar gazetarët dhe është rrezikuar siguria e tyre.

Ekipi i ATV-së është sulmuar me gurë derisa po raportonin për protestën para ndërtesës së Komunës në Zveçan. Sipas mediave, disa persona të maskuar kanë qëlluar në drejtim të një automjeti në lëvizje, duke shkaktuar lëndime të lehta trupore gazetarit, Fatlum Jashari dhe kameramanit, Blend Thaci, si dhe kanë thyer xhamin e makinës.

Në Mitrovicën e Veriut, pas arrestimit të M.M. gazetarët u penguan të kryenin punën e tyre. Gjegjësisht, gazetarja e Radio KiM, Zorica Krstic Vorgucic, raportoi se nuk lejohej të xhironte, dhe se përdorimi i telefonit mund të ishte “shumë e rrezikshëm” – “si për telefonin, për gazetarin, por edhe për pjesëmarrësit e protestës që thirrën apo tentuan të xhironin diçka”- deklaroi gazetarja.

Njerëz të maskuar iu afruan gazetarëve, i paralajmëruan dhe në mënyrë agresive u thoshin që të mos xhironin dhe fotografonin, sepse do të kishte pasoja. Sipas Krstic Vorgucic, fotografitë e njërës prej gazetareve janë fshirë nga telefoni i saj.

Ekipit prej katër anëtarëve të TV Nova S iu ndalua xhirimi, në mënyrë të papërshtatshme dhe të dhunshme.

Redaktorja e portalit Kossev, Tatjana Lazarevic, gjithashtu ka njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë se ata e kanë sulmuar atë në disa raste, duke e ndaluar të raportonte, dhe kanë tentuar të ndalojnë xhirimin, si dhe t’ia marrin telefonin.

Gazetarët nuk kanë arritur të marrin as deklaratë nga përfaqësuesit e Listës Serbe, e kjo parti as që ka dalë me deklaratë.

Një fushatë veçanërisht e rrezikshme ka vazhduar edhe sot përmes rrjeteve sociale, ku në shënjestër të veçantë është Tatjana Lazarevic, por edhe gazetarët në përgjithësi, si përgjegjëse për arrestimet dhe pasigurinë.

Rrjeti SafeJournalists, i cili përfaqëson më shumë se 8 mijë e 200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, i bashkohet anëtarëve të tij Asociacionit të Gazetarëve të Pavarur të Serbisë dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, në shqetësimin e tyre për sigurinë e gazetarëve që raportojnë në veri të Kosovës, dhe u bën thirrje të gjithëve aktorët, duke përfshirë të gjitha subjektet politike dhe institucionet përkatëse për të ndaluar urgjentisht shënjestrimin dhe sulmet ndaj gazetarëve.

Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 14.06.2023

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të BH

Shoqata e Gazetarëve Kroatë

Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi