SafeJournalists: Sulm verbal ndaj gazetarëve në Shqipëri

SafeJournalists: Sulm verbal ndaj gazetarëve në Shqipëri
photo: canva

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, gazetarë të mediave të ndryshme janë penguar të raportojnë e janë sulmuar dhe kërcënuar verbalisht herë në mbledhjen e Partisë Demokratike (PD).

Ky veprim, i kryer nga simpatizantët e ish-Kryetarit të Partisë Demokratike, pengon jo vetëm rrjedhën e gazetarisë së lirë, por edhe sigurinë dhe mirëqenien e atyre që shërbejnë në vijën e parë të raportimit të lajmeve.

Gazetarët Osman Stafa nga News 24, Ardit Hoxha nga EuroNews, Andon Kello nga MCN, Ermal Rizai nga Syri Tv dhe Isa Myzyraj nga Ora News nuk u lejuan të kryejnë detyrën e tyre.

Gazetari Isa Myzyraj ka raportuar në rrjetin social Facebook se mbështetësit e Lulzim Bashës kanë ofenduar anëtarët e opozitës së PD-së. Kërcënimet e ofendimet kanë vijuar ndaj gazetarëve të pranishëm në ambientet e takimit.

Myzyraj tha se një grup individësh i kanë kërkuar që të fikin kamerat dhe të mos regjistrojnë. Gazetari Osman Stafa deklaroi gjithashtu se disa persona mbështetës të Bashës kanë ushtruar dhunë verbale, kërcënime, ofendime dhe tentativa për dhunë fizike ndaj gazetarëve pranë selisë së Partisë Demokratike.

“Dhuna verbale, kërcënimet, fyerjet dhe tentativat për dhunë fizike ndaj gazetarëve në orët e para të mëngjesit pranë selisë së Partisë Demokratike janë një kambanë alarmi jo vetëm për lirinë e medias, por edhe për sigurinë fizike të gazetarëve. ”, shprehet Myzyraj në postimin e tij në Facebook.

Blerjana Bino, hulumtuese e rrjetit SafeJournalists në Shqipëri, shprehu se: “Sulmi i fundit ndaj gazetarëve në mbledhjen e Partisë Demokratike është një tregues shqetësues i rreziqeve me të cilat përballen gazetarët në Shqipëri, duke nënvizuar pasigurinë e vazhdueshme të lirisë së shtypit.

Ajo theksoi nevojën thelbësore që partitë politike, anëtarët e tyre, mbështetësit dhe publiku i gjerë të respektojnë rolin dhe hapësirën e gazetarëve. Ky rast është gjithashtu një kujtesë fillestare se si ndjenjat antimediatike nga politikanët dhe përdorimi i gjuhës së urrejtjes kundër gazetarëve mund të nxisin kërcënime fizike, duke gërryer themelet thelbësore të gazetarisë së pavarur dhe profesionale”.

Rrjeti SafeJournalists, i cili përfaqëson më shumë se 8 mijë e 200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, i kërkon Partisë Demokratike që të distancohet publikisht nga ky incident dhe të dënojë veprimet e mbështetësve të saj. Presim një deklaratë zyrtare, ku do të pranohet ashpërsia e situatës dhe do të përshkruhen veprimet për të siguruar që një incident i tillë të mos përsëritet.

Rrjeti më tej kërkon që të zbatohen masa gjithëpërfshirëse për të parandaluar incidente të tilla në të ardhmen, duke garantuar sigurinë dhe lirinë e gazetarëve.

Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 07.06.2023

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të BH

Shoqata e Gazetarëve Kroatë

Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi