SafeJournalists: Sulme, arrestime dhe refuzim të aksesit – shtim i presionit ndaj gazetarëve në Serbi

SafeJournalists: Sulme, arrestime dhe refuzim të aksesit – shtim i presionit ndaj gazetarëve në Serbi
photo: canva

Rrjeti SafeJournalists dënon fuqishëm një sërë ngjarjesh në të cilat gazetarët dhe operatorët e kamerave që raportonin për interesin publik u targetuan dhe sulmuan gjatë dhe pas “Kuvendit të Popullit” të organizuar nga Partia Progresive e Serbisë (SNS) në Niš.

Gazetarja Ivana Marković dhe kameramani Dejan Marković nga Nova TV, si dhe Tamara Radovanović nga Južne vesti, u sulmuan fizikisht dhe verbalisht. Për më tepër, Nikola Doderović, korrespondent i Radio SBS nga Australia dhe kandidat për doktoraturë në Fakultetin e Filozofisë në Niš, u ndalua pa asnjë bazë ligjore ndërsa po raportonin nga ngjarja së bashku me një koleg.

Një ditë më parë, para ngjarjes kryesore, kameramani i N1 TV, Marjan Vučetić, u sulmua fizikisht në fshatin Makovište ndërsa po përpiqej të filmonte një ngjarje ku merrte pjesë presidenti i SNS, Miloš Vučević. Sipas Vučetić, sulmi u nxit nga lideri i komunitetit lokal, në sy të Vučević.

Ivana dhe Dejan Marković u sulmuan në qendër të qytetit nga dy burra, të cilët i fyeshin, i shtynin dhe u thërrisnin me megafon që të largoheshin. Tamara Radovanović u sulmua ndërsa po filmonte autobusët që transportonin mbështetësit e SNS-së. Sulmuesi u përpoq të ia merrte telefonin nga dora, dhe në vend që ta mbrojnë, policia e largoi nga vendi i ngjarjes, për “të ulur tensionin,” pa ndërmarrë asnjë veprim ndaj sulmuesit. Ky incident është një tjetër dështim i policisë për të mbrojtur gazetarët, duke mundësuar që të tjerë të sulmojnë ata pa pasur pasojë.

Një shqetësim i veçantë është se gazetarëve të pavarur nuk iu dha akses në zonën e rrethuar të ngjarjes kryesore, pasi akreditimet u dha vetëm mediave të afërta me partinë në pushtet. Kjo përbën diskriminim ndaj mediave që ishin de facto të bllokuara nga mbulimi i një ngjarjeje publike.

Një tjetër alarmim është ndalimi i Nikola Doderović dhe kolegut të tij, të cilët u mbajtën nga policia dhe u morën në pyetje për motivet e raportimit të tyre, përsëri pa asnjë justifikim ligjor – një veprim që përfaqëson një formë të qartë intimidimi.

Rrjeti SafeJournalists kërkon një reagim të menjëhershëm dhe efektiv nga policia dhe prokuroria, duke përfshirë identifikimin dhe ndjekjen penale të të gjithë sulmuesve. Ne gjithashtu kërkojmë nga Ministria e Brendshme që të ndalojë praktikën e ndalimeve të paarsyetuara të gazetarëve, të sigurojë sigurinë e tyre në terren dhe t’u mundësojë atyre të raportojnë lirisht nga protestat dhe ngjarjet e tjera publike. Është thelbësore që autoritetet të ofrojnë shpjegime të qarta për çdo rast ndalimi pa baza ligjore të vlefshme. Policia duhet të ndalojë reagimet e pasinqerta ndaj sulmeve ndaj gazetarëve dhe të veprojë në përputhje me standardet profesionale dhe ligjet e Republikës së Serbisë.

Sulmet ndaj gazetarëve janë sulme ndaj lirisë së shprehjes dhe të drejtës së publikut për të qenë të informuar. Çdo tolerim i dhunës ndaj mediave dobëson edhe më tej demokracinë tashmë të brishtë të Serbisë dhe e kthen frikën në “normalen” e re për gazetarët që po kryejnë detyrat e tyre profesionale. I kujtojmë autoriteteve se është detyrimi i shtetit të sigurojë një mjedis të sigurt për punonjësit e medias.

Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje organizatave dhe partnerëve ndërkombëtarë të monitorojnë ngushtë situatën dhe të bëjnë presion shtesë mbi institucionet serbe për të garantuar sigurinë e gazetarëve dhe respektimin e të drejtave të tyre.

Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këto zhvillime shqetësuese dhe do të vazhdojë të monitorojë situatën ngushtë.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 19 maj 2025

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të BH-së
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë
Sindikatat e Mediave të Malit të Zi