Sipas policisë, është planifikuar vrasja e redaktorit të portalit Istraga.ba në Bosnje dhe Hercegovinë, derisa kryeredaktori i portalit Komarilos.com, Dario Topić, u sulmua fizikisht të mërkurën në qytetin kroat Osijek.
Institucionet policore, të sigurisë dhe të drejtësisë në Federatën e BeH janë informuar nëpërmjet kanaleve policore ndërkombëtare se personi Dino Muzaferoviq i njohur si Cezar po përgatit likuidimin e redaktorit të portalit Istraga.ba, Avdo Avdiq.
Të enjten, më 5 dhjetor, Muzaferoviq u arrestua në Lubjanë pas një teksti të publikuar në portalin Istraga.ba më 29 nëntor, që përmbante informacione për pjesëmarrjen e tij në organizimin dhe vrasjen e bashkëqytetarit të tij, si dhe vendin ku Dino Muzaferoviq po fshihej. Pasi mediat sllovene i raportuan këto informacione, sipas njohurive të policisë dhe strukturave të sigurisë, Muzaferoviq ka filluar të përgatisë vrasjen e redaktorit të Istraga.ba.
Bordi i Drejtorëve i Asociacionit të Gazetarëve të BH (BHN) dhe Linja Ndihmëse për Gazetarët u dërguan kërkesë institucioneve kompetente që të marrin të gjitha masat e sigurisë për mbrojtjen e gazetarit Avdo Avdiq.
Pavarësisht arrestimit të Muzaferoviqit dhe gjetjeve të policisë, rreziqet e sigurisë për jetën e gazetarit dhe familjes së tij nuk janë eliminuar dhe atyre duhet t’u sigurohet mbrojtje policore dhe mbikëqyrje e veçantë. Asociacioni i Gazetarëve të BH-së thekson se gazetari Avdiq ka shkruar për vite me radhë për qarqet kriminale ndërkombëtare të lidhura me kartelet e drogës dhe drejtuesit e tyre, për këtë arsye ai mori kërcënime serioze dhe ishte nën presion të vazhdueshëm.
“Me keqardhje duhet të konstatojmë se ky gazetar është kërcënuar jo vetëm nga persona të qarqeve kriminale, por edhe nga politikanë nga BeH dhe bartës të posteve më të larta shtetërore, të cilët u përpoqën ta diskreditojnë dhe dehumanizojnë profesionalisht Avdiqin dhe të krijojnë një rrethi të dhunës që rrezikon sigurinë rreth tij duke e përfaqësuar si “kriminel”. “Asnjë nga këto raste nuk përfundoi me dënimin e sulmuesve,” theksoi BHN.
Më 4 dhjetor, gazetari Dario Topiq u rrah nga Damir Taslixhiq, bashkëpronar dhe përfaqësues i kompanisë Elektromodul. Gjegjësisht, pasi portali Komarilos.com shkroi për rastin e refuzimit të qytetit të Osijekut për të zgjatur koncesionin për tarifat e parkimit për kompaninë Elektromodul në fund të vitit, Damir Taslixhiq, kompania e të cilit është ende koncesionari aktual, e ftoi Topiqin të lokalin e tij të biznesit me pretekstin se do t’i jepte informacion për përvetësim me dhënien e koncesioneve dhe ai fizikisht e ka sulmuar dhe e ka rrahur sapo ka hyrë brenda.
Dario Topiq e raportoi menjëherë rastin në polici, në Prokurorinë e Shtetit dhe në Asociacionin e Gazetarëve Kroatë (HND), shkoi në spital për kontroll dhe më 5 dhjetor, i shoqëruar nga nënkryetari i HND-së, Drago Hedl, përsëri dha një deklaratë në polici lidhur me sulmin. Sipas informacioneve të disponueshme, dyshohet se sulmuesi është larguar nga Kroacia menjëherë pas incidentit dhe ka shkuar në Bosnje e Hercegovinë.
Për shkak të këtij rasti, HND-ja i është drejtuar policisë me shkresë duke kërkuar arrestimin e sulmuesit, ndërsa Prokurorisë së Shtetit i është kërkuar ngritja e aktakuzës për sulm dhe lëndim trupor. Sipas ndryshimeve në Kodin Penal të Kroacisë nga viti 2020, sulmi ndaj një gazetari trajtohet si sulm ndaj një personi që kryen punë me interes publik dhe dënimi për atë vepër është deri në tre vjet burg.
HND-ja kërkon që institucionet të veprojnë në përputhje me ligjin dhe Protokollin për sjelljen e policisë kur mësohet për një vepër penale të kryer në dëm të gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias në kryerjen e detyrave të tyre të punës, për t’i dhënë fund atmosferës së linçimit të hapur në të cilin punojnë, sidomos kur janë etiketime nga nivelet më të larta shtetërore. Një atmosferë e tillë inkurajon banditë të ndryshëm që mendojnë se mund të sulmojnë gazetarët pa u ndëshkuar.
Rrjeti SafeJournalist dënon ashpër rastet e rrezikimit të sigurisë së Avdiqit dhe sulmit fizik ndaj Topiqit dhe kërkon dënimin më të ashpër të atyre që guxuan që në këtë mënyrë të merren me gazetarët. Ne i bashkohemi HND-së në thirrjen për t’i dhënë fund atmosferës së linçimit të hapur ndaj gazetarëve, BHN-së në kërkesat urgjente ndaj strukturave kompetente të sigurisë, policisë dhe prokurorisë në BeH për të garantuar sigurinë e gazetarit dhe familjes së tij dhe për të marrë të gjitha masat që të zgjidhen kërcënimet e mëparshme dhe dhuna e pandëshkuar ndaj gazetarit.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët e interesuara përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 6.12.2024
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të BH
Asociacioni i Gazetarëve Kroatë
Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi