SafeJournalists: Të hetohen dhe dënohen urgjentisht kërcënimet ndaj redaktorit të portalit Prometej në Bosnje dhe Hercegovinë

SafeJournalists: Të hetohen dhe dënohen urgjentisht kërcënimet ndaj redaktorit të portalit Prometej në Bosnje dhe Hercegovinë
photo: canva

Franjo Sarcevic, redaktori i portalit Prometej, mori një sërë kërcënimesh, ofendimesh dhe u bë shënjestër e gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale, por edhe ngacmimeve mediatike, pasi publikoi një kolumnë në të cilën komentonte deklaratat dhe ikonografinë e kremtimit solemn, 1 Marsit – Ditës së Pavarësisë së Bosnjës dhe Hercegovinës.

Pas publikimit të tekstit me titull “Një ditë tjetër pavarësie e pakuptimtë” dhe kritikave ndaj kryetares së Sarajevës, Benjamina Karic, e cila publikoi një foto me një djalë me uniformë të kamufluar, në rrjetet sociale filloi një sërë ofendimesh, kërcënimesh dhe gjuhës së urrejtjes ndaj autorit.

Bordi Drejtues i Shoqatës së Gazetarëve të BH dënoi ashpër mesazhet kërcënuese dhe gjuhën e urrejtjes drejtuar Franjo Sarcevic. Asociacioni pret që policia të reagojë sa më shpejt, t’i sjellë menjëherë në komisariat dhe të marrë në pyetje personat që qëndrojnë pas profileve në rrjetet sociale nga të cilat janë dërguar kërcënimet. Shoqata gjithashtu vë në pah se kjo nuk është hera e parë që redaktori i Prometej është përballur me kërcënime brutale të dhunës, kryesisht kur ka shkruar dhe folur në kundërshtim me pikëpamjet e shumicës politike në Sarajevë, Mostar apo pjesë të tjera të BH.

“Fakti që një numër mediash me bazë në Sarajevë kontribuan gjithashtu në përhapjen e urrejtjes dhe jotolerancës ndaj Franjo Sarcevic, duke shkelur kodin e etikës gazetareske dhe duke i dhënë përparësi “gazetarisë patriotike” në vend të raportimit objektiv dhe të vërtetë, me pranim të arsyeshëm të pikëpamjeve si pjesë e patjetërsueshme e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit të opinionit është veçanërisht shqetësuese për Bordin Drejtues të BHJA. Asnjë media apo gazetar nuk duhet të përhapë urrejtje ndaj askujt dhe sidomos ndaj gazetarëve të tjerë, edhe kur ata nuk janë dakord me mendimin e tyre ose kanë bindje krejtësisht të ndryshme”, përfundon BHJA.

Rrjeti SafeJournalists, i cili përfaqëson profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, i bashkohet anëtarit të tij BHJA dhe u bën thirrje institucioneve kompetente që urgjentisht të kryejnë një hetim dhe të marrin masa ligjore për të dënuar personat që qëndrojnë pas kërcënimeve ndaj gazetarit. Rrjeti i jep mbështetje të plotë Franjo Sarcevicit dhe solidarizohet me të në luftën kundër dhunës online dhe kërcënimeve ndaj të cilave ai është i ekspozuar.

Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët e interesuara përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 06.03.2024

Association of Journalists of Kosovo

Association of Journalists of Macedonia

BH Journalists Association

Croatian Journalists’ Association

Independent Journalists Association of Serbia

Trade Union of Media of Montenegro