Rrjeti SafeJournalists është i shqetësuar thellë nga sulmi fizik brutal ndaj gazetares malazeze Ana Raiçkoviq dhe familjes së saj. Veçanërisht alarmues është fakti se një zyrtar aktiv nga Ministria e Brendshme e Malit të Zi (MMI) ishte në mesin e sulmuesve. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve që menjëherë t’i ndjekin penalisht sulmuesit dhe të japin dënimet më të ashpra, të cilat do të tregojnë qartë se askush nuk është mbi ligjin.
Biznesmeni Zoran Beqiroviq, djali i tij Luka dhe anëtari i ekipit të tij të sigurisë, Mladen Mijatoviq, njëherësh zyrtar aktiv i MMI-së, të hënën mbrëma në Podgoricë sulmuan brutalisht Ana Raiçkoviqin, redaktore në Pobjeda, si dhe anëtarët e familjes së saj. Sulmi duket se ka ndodhur si pasojë e punës së Raiçkoviqit në të shkuarën. Pasi fillimisht e ngacmuan Raiçkoviqin në mënyrë verbale, Beqiroviq dhe pjesëtarët e tij të sigurimit e sulmuan fizikisht atë, si dhe djalin dhe të fejuarin e saj, të cilët po përpiqeshin ta mbronin atë. Familja ka pësuar lëndime fizike, ndërsa nga sulmi është dëmtuar edhe makina e tyre.
Raiçkoviq, e cila ndodhej në një restorant fast-food në zonën e bllokut 5 të Podgoricës, raportoi se pas një vale fillestare kërcënimesh, fyerjesh dhe ngacmimesh, ajo informoi policinë se po frikësohej hapur nga një grup burrash të cilët ajo nuk arriti t’i identifikonte në momentin e sulmit.
Sulmet verbale kanë vazhduar edhe pas mbërritjes së të fejuarit dhe djalit të saj dhe shumë shpejt kanë eskaluar në dhunë fizike. Edhe pse Raiçkoviq, djali i saj dhe i fejuari i saj arritën deri te makina e tyre, sulmuesit i ndoqën dhe i sulmuan edhe atje.
“Mijatoviq më kapi për fyti dhe më tha: ‘Thuaj emrin e djalit [duke iu referuar djalit të gazetares], unë refuzova dhe ai vazhdoi të insistonte, duke kërcënuar se do ta gjente atë gjithsesi dhe, nëse nuk do të bashkëpunoja, do të më vriste”, ka rrëfyer Raiçkoviq për Pobjedan. Ajo shtoi se derisa Mijatoviq e mbante për qafe, Beqiroviq e kapi për flokë dhe ia përplasi kokën pas derës së makinës.
Pas sulmit, Raiçkoviq e raportoi menjëherë incidentin në polici dhe më pas shkoi në qendrën emergjente, ku stafi mjekësor konfirmoi lëndime si mavijosje në qafë nga shtrëngimi, çarje në kokë dhe një krah të fryrë.
Sindikata e Mediave të Malit të Zi u ka bërë thirrje autoriteteve që ta përshpejtojnë ndjekjen penale të Beqiroviqit dhe të gjithë të tjerëve të përfshirë, duke kërkuar dënime në përputhje me Kodin Penal, i cili parashikon dënime më të ashpra për sulmet ndaj gazetarëve. Sindikata e Mediave të Malit të Zi theksoi se Beqiroviq ka një histori armiqësie ndaj gazetarëve, duke e bërë këtë rast veçanërisht të rëndë.
Pas raportimit të Raiçkoviqit në polici, sulmuesit u ndaluan.
Rrjeti SafeJournalists mirëpret vendimin e Prokurorisë Themelore të Podgoricës për t’i mbajtur të tre sulmuesit deri në 72 orë si dhe njoftimin se një person tjetër i përfshirë gjithashtu do të merret në pyetje. Rrjeti tutje u kërkon autoriteteve që të sigurojnë se sulmuesit do të ndiqen penalisht pa vonesë dhe se atyre do t’u jepen dënimet maksimale, duke dërguar një mesazh të qartë se dhuna ndaj punonjësve të medias është e papranueshme.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët e interesuara përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 12.11.2024
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të BH
Asociacioni i Gazetarëve Kroatë
Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi