Mbrëmjen e 18 marsit në Banja Luka, disa gazetarë e aktivistë u sulmuan para zyrës ku ishte organizuar një takim i anëtarëve të komunitetit LGBTIQ+, nga e gjithë Bosnja dhe Hercegovina, me qëllimin për të parë një dokumentar dhe për të diskutuar të drejtat e komunitetit dhe mbrojtjen e tyre. Gjatë ditës, policia kishte vendosur ta ndalonte paradën e krenarisë për shkak shkaqe të sigurisë.
Aktivistët megjithatë vendosën të takoheshin në ambiente të mbyllura, dhe rreth 15 prej tyre, mes tyre edhe gazetarë, u sulmuan nga një grup i 30-40 huliganëve. Policia nuk bëri asgjë për të mbrojtur pjesëmarrësit e takimit dhe nuk u sigurua që gazetarët të kryenin punën e tyre të papenguar. Pas ngjarjes, një pjesë e aktivistëve dhe gazetarëve kanë tentuar të arratisen, ndërsa grupi tjetër është evakuuar nga policia në komisariatin e Banja Lukës, ku janë marrë në pyetje si viktima.
Borka Rudic, Sekretare e Përgjithshëme e Shoqatës së Gazetarëve të BH, thotë se Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik dhe Kryetari i Bashkisë së Banja Lukës, Drasko Stanivukovic, janë përgjegjës për sulmin në Banja Luka, të cilët nxitën dhe përhapën urrejtje disa ditë para incidentit ndaj komunitetit LGBTIQ+, dhe ndaj të gjithëve atyre që i mbështesin.
“Këta dy politikanë nuk folën publikisht për të drejtat e njeriut të atij komuniteti pakicë, siç do të ishte normale në shtetet demokratike; ata nuk folën se si është e papranueshme të kundërshtohen të drejtat e njeriut të një grupi në raport me një grup tjetër, nuk folën për parandalimin e diskriminimit… Në deklaratat e tyre ata vënë në plan të parë atë që u pëlqen dhe çfarë nuk u pëlqen, cili është botëkuptimi i tyre në raport me komunitetin LGBTIQ+, sikur të mos ishin bartës të pozitave më të larta në këtë shoqëri”, tha Rudiq e cila shtoi se “të njëjtin nivel përgjegjësie e mbanë policia sepse kanë vepruar në përputhje me “dëshirat” e politikanëve, dhe jo në përputhje me Ligjin për Tubimet Publike të Republikës Srpska dhe detyrimin e tyre institucional për të mbrojtur grupet minoritare nga dhuna e shumicës”.
Rrjeti i SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8 mijë e 200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, e dënon fuqishëm këtë sulm dhe i bashkohet anëtares së saj, Shoqatës së Gazetarëve të BH, dhe u ofron mbështetje gazetarëve të sulmuar Vanja Stokic dhe Melani Isovic, gazetares Vanja Sunjic dhe fotoreporterit Ajdin Kamber. Rrjeti kërkon hetim të menjëhershëm të sulmeve ndaj gazetarëve dhe aktivistëve, si dhe zbulimin e sulmuesve dhe atyre që qëndrojnë pas këtij sulmi. Gjithashtu, u bëjmë thirrje autoriteteve që të përmbahen nga deklaratat që nxisin dhunë dhe gjuhë të urrejtjes.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë të gjitha palët relevante kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Shkup – Zagreb, 20.3.2023
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të BH
Shoqata e Gazetarëve Kroatë
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi