Ekipet e Kallxo.com dhe RTV Dukagjinit janë sulmuar përgjatë mbulimit të ngjarjeve në veri të Mitrovicës, më 9 dhe 10 dhjetor.
Gazetarja e Kallxo.com, Shkodrane Dakaj dhe producenti Valdet Salihu, më 9 dhjetor u sulmuan nga një grup i maskuar vendasish, teksa ishin duke lëvizur me veturë. Mbrëmjen e nesërme, teksa gazetarja Doruntina Bylykabashi e RTV Dukagjinit po raportonte drejtpërdrejt, pranë saj është hedhur një mjet shpërthyes.
Sipas AGK-së, sulmi i dytë, i cili ndodhi afër ekipit të RTV Dukagjinit, rrezikoi edhe punëtorë të tjerë të mediave, ata të T7, ATV, RTK, Klan Kosova dhe KTV, të cilët po raportonin në të njëjtin vend.
Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, ka shprehur shqetësimin e tij, duke pasur parasysh intensifikimin e sulmeve ndaj gazetarëve në veri. “Që nga fillimi i tensioneve të fundit në pjesën veriore të Kosovës, kemi qenë dëshmitarë të tri sulmeve ndaj ekipeve televizive nga Prishtina. Ky është një trend shumë shqetësues dhe frikësohemi për sigurinë e dhjetëra kolegëve tanë që raportojnë pa pushim nga kjo pjesë e vendit”, tha Rexha.
“U bëjmë thirrje sërish protestuesve që të respektojnë punën e mediave, njëherësh i bëjmë thirrje edhe Policisë së Kosovës që të jetë vigjilente për t’iu ofruar gazetarëve një ambient të sigurt për të kryer punën e tyre. Gjithashtu, u bëjmë thirrje EULEX-it dhe KFOR-it që të ndihmojnë në garantimin e sigurisë për të gjithë.”
Rrjeti i SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8 mijë e 200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, i bashkohet anëtares së saj, AGK-së, në dënimin e këtyre rasteve dhe u bën thirrje organeve kompetente që të garantojnë sigurinë e gazetarëve, veçanërisht në kohë të tilla delikate. Gjithashtu, u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të zbardhin të gjitha rastet e sulmeve ndaj gazetarëve që kanë ndodhur në Kosovë, sepse çdo rast i pandëshkuar po sjellë më shumë krime ndaj gazetarëve.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë të gjitha palët kompetente kombëtare dhe ndërkombëtare për këto dy raste.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Shkup – Zagreb, 13.12.2022
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të BH
Asociacioni i Gazetarëve Kroatë
Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi