SJ: E mirëpresim reagimin e shpejt të Inspektoratit Policor pas arrestimit të kameramanit kosovar

SJ:  E mirëpresim reagimin e shpejt të Inspektoratit Policor pas arrestimit të kameramanit kosovar

Më 3 shkurt në Suharekë, Policia e Kosovës arrestoi kameramanin e Agjencisë së Lajmeve, Ekonomia Online, Albion Selitaj, përderisa ai ishte duke raportuar drejtpërdrejt nga aksioni i policisë në “NBI Suhareka”. Bazuar në pamjet që janë transmetuar drejtpërdrejt, zyrtarët policorë kërkuan nga mediet që të lironin sallën, teksa sipas kameramanit, ai u shty dhe nuk iu dha kohë e mjaftueshme që të merrte kamerën, andaj pasi nuk doli menjëherë nga salla, policia e arrestoi. 

Pas reagimit të shpejtë të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës – Rrjeti SafeJournalists u informua se Inspektorati Policor ka suspenduar dy policët e përfshirë, teksa pesë të tjerë janë duke u hetuar. 

Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, tha se sjellja e zyrtarëve policor ishte tërësisht joprofesionale dhe e papranueshme, duke shtuar se: “Ne u shokuam nga pamjet se si njëri nga kolegët tanë u largua me forcë dhe më pastaj u arrestua nga Policia e Kosovës. Gjithçka ishte duke u transmetuar live.” Rexha tha se kameramani u lirua pasi u intervistua nga Stacioni Policor në Suharekë. “Ajo çka ndodhi sot paraqet mënyrën se si organet e sigurisë nuk duhet të sillen me medie. Ne e ngritëm këtë çështje në nivelin më të lartë të Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe kërkuam që skena të tilla të mos përsëriten më.” 

Rrjeti SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, solidarizohet me kolegun nga Kosova, Albion Selitaj. E mirëpresim faktin që autoritetet kanë reaguar me shpejtësi dhe presim transparencë të plotë nga autoritetet për këtë rast. Institucionet duhet të mbështesin lirinë e fjalës dhe të mbrojnë punonjësit e medias, e jo të shkelin të drejtat e tyre. 

Ne do të informojmë të gjithë akterët përkatës kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këtë rast. 

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve. 

Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Shkup – Zagreb, 4 shkurt 2022 

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës 

Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë 

Asociacioni i Gazetarëve BH 

Asociacioni i Gazetarëve Kroatë 

Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë 

Sindikata e Mediave të Malit të Zi