Gazetarja e të përditshmes “Danas” Snezhana Congradin është sulmuar në sheshin Milan Mlladenoviq gjatë mbrëmjes së 25 nëntorit, teksa po filmonte një protestë të organizuar me rastin e heqjes së grafitit të Ratko Mlladiqit, “hero serb”.
Sipas videos që Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë ka marrë nga Congradin, sulmuesi e ka goditur atë dhe i ka thyer telefonin teksa ajo po transmetonte drejtpërdrejt protestën për faqen e së përditshmes “Danas”. Policia arrestoi sulmuesin pas ngjarjes.
Congradin tha për rrjetin Safejournalists se dyshonte se sulmuesi është anëtar ose simpatizant i grupit ekstremist “Leviatan”, pasi pas sulmit ajo mori mesazhe mbështetjeje në të cilat, ndër të tjera, njerëzit i jepnin këtë informacion. Ata gjetën foto të sulmuesit ku ndodhet me Pavle Bihalin, kreun e grupit Leviatan.
Kryetari i APGS-së, Zeljko Bodrozic, deklaroi se ky është: “ngjarja e dytë e rëndë që i ka ndodhur koleges tonë Congradin në muajin e fundit dhe për këtë arsye u bëjmë thirrje autoriteteve që ta marrin seriozisht situatën dhe t’i hetojnë të dyja rastet dhe të sigurojnë një ambient të favorshëm pune për kolegen tonë. Kujtojmë se ky nuk është incidenti i parë i raportuar pranë autoriteteve, ku gazetarët janë viktima të anëtarëve dhe simpatizantëve të grupit ekstremist “Leviatan” dhe se asnjë nga këto raste nuk ka marrë ende një epilog gjyqësor, gjë që vërteton tezën tonë se mosndëshkimi çon ndaj sulmeve të reja.”
Rrjeti SafeJournalists që përfaqëson më shumë se 8.200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, i bashkohet anëtarit të tij, Asociacioni të Pavarur të Gazetarëve të Serbisë, dhe kërkon që Congradin t’i sigurohet mbrojtja e nevojshme dhe që të gjitha rastet e sulmeve të ndiqen penalisht sa më parë të jetë e mundur. Në këtë mënyrë paralajmërojmë autoritetet kompetente dhe publikun se sulmet ndaj gazetarëve nga grupet ekstremiste janë intensifikuar në Serbi gjatë muajit të fundit dhe se është e nevojshme që policia të sigurojë mbrojtje më të madhe për gazetarët gjatë protestave, dhe prokuroria të monitorojë këto raste dhe për të ngritur padi sipas detyrës zyrtare.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë të gjitha palët relevante kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb, 26 nëntor 2021
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të BH
Asociacioni i Gazetarëve Kroatë
Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi