SJ: Sjellje e turpshme e zyrtarëve shtetërorë serbë dhe shqiptarë ndaj gazetarëve gjatë vizitës së Angela Merkel

SJ: Sjellje e turpshme e zyrtarëve shtetërorë serbë dhe shqiptarë ndaj gazetarëve gjatë vizitës së Angela Merkel
Foto: Pixabay

Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel ka vizituar Ballkanin Perëndimor ditët e fundit. Ajo u prit së pari në Beograd më 13 shtator, pastaj në Tiranë më 14 shtator.

Në të dy ditët, gjatë konferencave për shtyp, disa medieve dhe gazetarëve iu mohua e drejta për të bërë pyetje ose për të marrë pjesë. Përveç kancelares, në konferencën në Beograd ishte i pranishëm edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërsa në Tiranë ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Disa gazetarë në Beograd, si gazetarja e Newsmax Adria, Zana Bulajiq, nuk u lejuan që të hynin në konferencë për shkak të masave epidemiologjike. Nga ana tjetër, në Tiranë, kryeministri shqiptar Edi Rama kishte një qasje selektive ndaj gazetarëve nga Kosova. Gazetari Enis Reçica nga televizioni Klan Kosova postoi në llogarinë e tij në facebook një video të tij dhe gazetarëve të tjerë të Kosovës që ngrinin duart për të bërë pyetje, ndërsa kryeministri shqiptar i injoroi për 40 minuta.

“Këtu nuk ka asgjë të çuditshme, madje as qeveria nuk pretendon para përfaqësuesve të huaj se këtu ka liri të medies. Ne e kuptojmë që ata po i mbyllin sytë, pasi është çështje e politikës së lartë, por pyetja mbetet se deri në çfarë mase ata do të heshtin dhe do të shikojnë qeverinë të vrasë profesionin e gazetarit në Serbi ”, tha Zeljko Bodrozic, president i Asociacionit të Gazetarëve të Pavarur të Serbisë.

Xhemajl Rexha, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, tha se “sjellja e Kryeministrit Rama ndaj gazetarëve të Kosovës është skandaloze, por për fat të keq asgjë e re”.

“Ndarja që ai bëri ndaj kolegëve tanë të cilët ishin të prirur t’i bënin pyetje Kancelares Merkel është e papranueshme dhe një shenjë që ai donte të kontrollonte narrativin që do të përçohej nga një ngjarje kaq e rëndësishme. Kolegët tanë shqiptarë përballen me një sjellje të tillë çdo ditë dhe ne i mbështesim ata që të ngrisin zërin dhe të sigurohen që ai të mos të ‘shpëtojë lehtë’. Ne jemi gjithashtu mirënjohës për mbështetjen rajonale dhe atë EFJ-së pas asaj që ndodhi ”, tha ai.

Rrjeti SafeJournalists, i cili përfaqëson më shumë se 8,200 profesionistë të medieve në Ballkanin Perëndimor, dënon këtë sjellje ndaj gazetarëve në të dyja vendet. Ne do t’i dërgojmë një letër shqetësimi zyrës së Kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Serbisë dhe do t’iu bëjmë thirrje që të mos e përsërisin një sjellje të tillë jo vetëm me gazetarët, por të gjithë punonjësit e medies.

Ne do të informojmë akterët relevant kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këto raste.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Shkup – Zagreb, 17.09.2021

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

Asociacioni i Gazetarëve të të BH

Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë