
Gjatë kësaj jave, në kuadër të platformës rajonale Safe Journalists, janë zhvilluar takime pune mes anëtarëve të platformës dhe përfaqësueseve të institucioneve evropiane.
Takimet u zhvilluan në Parlamentin Evropian dhe Komisionin Evropian në Bruksel, në të cilat AGK-ja, u përfaqësua nga Drejtorja Ekzekutive, Getoarbë Mulliqi Bojaj, dhe Rabije Hyseni – Zyrtare për Komunikim.
Mulliqi Bojaj dhe Hyseni, u takuan me Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon-Taubade, dhe Romeo Franz – anëtar i Parlamentit Evropian dhe pjesëtar i Partisë së Gjelbër në Gjermani.
Anëtarët e Safe Journalists gjithashtu u takuan me përfaqësuesit e Directorate-General for Neighbourhood and Enlargement Negotiations in Brussels. Të pranishëm në takim ishin Anna Vezyroglu – Zyrtarja për Politikë dhe Strategji Rajonale për Ballkanin Perëndimor, Chloe Berger – Zyrtare Politike për Serbinë, Victor Tiela – Zyrtar politik për Maqedoninë e Veriut dhe Velislav Ivanov – Zyrtar për Politika të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës.
Anëtarët e rrjetit prezantuan gjetjet e raporteve “Treguesit e nivelit të lirisë së medieve dhe sigurisë së gazetarëve”, si dhe diskutuan për raportin e progresit dhe rekomandimet e tij.







