Policia e Kosovës ka arrestuar, të mërkurën në mbrëmje, tre personat që dyshohet se sulmuan fizikisht një natë më herët, gazetarin njëherësh drejtuesin e Gazeta Metro, Valon Syla.
“Pas një pune intenzive të Policisë së Kosovës, tashmë janë arrestuar tre sulmuesit e gazetarit Valon Syla. Përgëzoj Policinë e Kosovës për përkushtimin dhe profesionalizmin që garanton siguri për të gjithë si dhe sundim të rendit dhe ligjit.”, ka njoftuar Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
AGK-ja, mirëpret veprimin e shpejtë të Policisë së Kosovës. Njëherësh, i bëjmë thirrje Prokurorisë dhe Gjykatës, që konform ligjit, të shqiptojnë dënimet e duhura për autorët e këtij sulmi në përputhje me sulmin e rëndë ndaj gazetarit, që cenon të drejtën themelore të një qytetari për lirinë e shprehjes.