Bordi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, sot në nder të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, ka mbajtur një deklaratë për medie përballë Pallatit të Drejtësisë, për të bërë thirrje për prokurorët dhe gjyqtarët që të trajtojnë me prioritet rastet e dhunës ndaj gazetarëve.
Deklarata pa ndërhyrje:
KËRKESË PËR PROKURORËT DHE GJYQTARËT
Përmes kësaj shkrese, na lejoni të shprehim shqetësimet tona në lidhje me trajtimin e rasteve të dhunës kundër gazetarëve duke kërkuar nga ana e juaj si pjesa kryesore e sistemit të drejtësisë, të trajtoni me seriozitet më të madh mbrojtjen e gazetarëve nga dhuna e cila vien si rezultat i ushtrimit të aktivitetit të tyre si raportues të çështjeve të cilat përbëjnë interes publik.
Në pesë vitet e fundit, AGK-ja ka regjistruar 120 raste kërcënimesh, ndaj gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias. Gjithsej, 17 raste janë regjistruar në vitin 2018, 21 raste në vitin 2019, 24 raste në vitin 2020, 29 raste në vitin 2021 dhe 33 raste gjatë vitit 2022. Vetëm këtë vit deri në momentin që po flasim janë shënuar 11 raste sulmesh, me më të rëndin atë fizik kundër gazetarit Valon Syla. Kështu, numri i rasteve të kërcënimeve, sulmeve dhe ngacmimeve ndaj gazetarëve është rritur vit pas viti.
Sulmet ndaj gazetarëve, pos që paraqesin vepra penale kundër jetës dhe trupit, ato cenojnë edhe një prej lirive bazë në një shoqëri demokratike, që është liria e shprehjes. Duke mos minimizuar rrezikun e asnjë vepre penale, rastet e sulmeve ndaj gazetarëve kanë një rrezikshmëri të veçantë, që përpos në palën e dëmtuar, e vënë në rrezik edhe lirinë e shprehjes së gazetarëve dhe lirinë e informimit të qytetarëve.
Rritja e sulmeve ndaj gazetarëve kërkon reagim urgjent dhe adekuat nga ana e sistemit të drejtësisë.
AGK-ja, e vlerëson lartë miratimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi me të cilin parashihet që rastet e gazetarëve të trajtohen brenda një afati të shkurtër kohor ashtu siç e vlerëson edhe caktimin e koordinatorëve për rastet e dhunës kundër gazetarëve nga ana e prokurorëve.
Përkundër këtyre zhvillimeve pozitive, shqetësimet tona kryesore mbesin kualifikimi i gabuar i veprave penale nga ana e prokurorëve ndaj sulmueseve të gazetarëve, kryesisht duke përzgjedhur vepra më të lehta penale dhe zvarritja e rasteve në gjykata dhe dënimet jashtëzakonisht të ulëta ndaj sulmueseve të gazetarëve të shqiptuara nga gjykatësit. Ne kërkojmë nga prokurorët që në rastet e sulmeve ndaj gazetarëve të ndërmarrin hetime profesionale dhe të pavarura dhe akuzat ndaj sulmueseve të gazetarëve t’i përpilojnë duke marrë parasysh jo vetëm rrethanat lehtësuese por edhe ato rënduese me qellim të dekurajimit të sulmeve ndaj gazetarëve. Nga gjyqtarët kërkojmë që rastet e sulmeve ndaj gazetarëve të trajtohen me prioritet të lartë dhe sulmuesit të marrin dënime që reflektojnë rrezikshmërinë që iu kanoset gazetarëve e jo të shqiptohen dënime të lehta.
Duke pasur për bazë misionin e AGK-së në mbrojtjen e lirive dhe të drejtat e gazetarëve, promovimin, inkurajimin dhe përmirësimin e gazetarisë cilësore dhe të hapur në Kosovë, si dhe pozitën e gazetarëve në Kosovë, na lejoni që të shprehim gatishmërinë e plotë të AGK, për çfarëdo forme të bashkëpunimit e cila ka për qëllim sigurinë e gazetarëve dhe krijimin e një mjedisi të lirë medialë.
Ju faleminderit për kohën tuaj.