Dita e dytë e Kongresit të EFJ-së: Votim i dhjetra mocioneve e diskutim për luftimin e paditve SLAPP

Dita e dytë e Kongresit të EFJ-së: Votim i dhjetra mocioneve e diskutim për luftimin e paditve SLAPP

Dita e dytë e Kongresit Vjetor të Federatës Evropiane të Gazetarëve – EFJ, nisi me një minutë heshtje për gazetarët, kameramanët e fotoreporterët e vrarë gjatë raportimeve nga lufta dhe zonat e konflikteve.

Federata vazhdoi punën për votimin e raporteve e mocioneve të propozuara më herët nga asociacionet e unionet anëtare të saj.

Luftimi i padive SLAPP, në moderimin e Nënkryetarit të EFJ-së, Mustafa Kuleli, ishte diskutimi i cili bashkoi në një tryezë juristë të medias e kryetarë të asociacioneve e unioneve për të diskutuar në ditën e dytë të takimit vjetor të Federatës Evropiane të Gazetarëve – EFJ.

Pjesë e këtij diskutimi ishin Flutura Kusari – juriste e medias, ECPMF, Dragan Sekulovski – Drejtor Ekzekutiv i Asociacionit të Gazetarëve të Maqedonisë Veriore, Hrvoje Zovko – President i Asociacionit të Gazetarëve të Kroacisë dhe Marta Barcenilla – CCOO, Spanjë, të cilët ndanë informata lidhur me këto padi për shtetet që përfaqësojnë.

Në ditën e dytë të këtij takimi, anëtarët e EFJ-së, votuan mocione për mbrojtjen e gazetarëve dhe lirinë e medias në shtetet evropiane.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës për herë të parë ishte nikoqir i takimit vjetor të EFJ-së, dhe është jashtëzakonisht i lumtur që rreth 100 kolegë e delegatë nga asociacione e unione, iu bashkuan këtij takimi që u mbajt për herë të parë në Prishtinë.

Më shumë informata rreth takimit dhe mocioneve të votuara në këtë takim vjetor të EFJ-së, mund të gjeni në faqen zyrtare të organizatës në rrjetin social X. (@EFJEUROPE)