
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës, në bashkëpunim me British Embassy Prishtina, UNWomen Kosovo dhe OSCE Mission in Kosovo, organizuan konferencën e pare dedikuar grave në media në nivel rajonal “Women Journalists in the Spotlight”. Kjo ngjarje mblodhi gazetarë nga Kosova, Shqipëria, Kroacia, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut, si dhe përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, diplomatë e ekspertë, duke ofruar një hapësirë të vlefshme për diskutim dhe ndarjen e përvojave. Me tre panele dhe një agjendë intensive, Konferenca e 8 Marsit dërgoi një mesazh të fuqishëm për një të ardhme më të sigurtë, të barabartë dhe më përfaqësuese për gratë në media.
Konferenca u hap nga Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, i cili theksoi angazhimin e vazhdueshëm për mbështetjen e grave gazetare. Ai vuri në pah rëndësinë e krijimit të Rrjetit të Grave Gazetare të Kosovës, si një hap kyç drejt një mjedisi më të barabartë dhe mbështetës për gazetaret në media. Duke pasur parasysh se gratë përbëjnë 65% të anëtarësisë së AGK-së, ai theksoi se roli dhe kontributi i tyre në gazetari është i jashtëzakonshëm, duke dëshmuar guxim dhe përkushtim në mbajtjen e të fuqishmëve përgjegjës.
Tutje, Vlora Tuzi Nushi, Shefe e Zyrës së UN Women në Kosovë, u shpreh e lumtur për bashkëpunimin, duke theksuar krenarinë për partneritetin me AGK-në dhe mbështetjen për krijimin e Rrjetit të Grave Gazetare. Ajo theksoi rëndësinë e krijimit të një mjedisi më të sigurt, gjithëpërfshirës dhe të barabartë në fushën e gazetarisë, duke theksuar angazhimin për të vazhduar punën deri në arritjen e barazisë gjinore.
Në fjalën e saj hapëse, Udhëheqësja në Detyrë e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Cornelia Taylor vlerësoi guximin e jashtëzakonshëm të gazetareve të Kosovës, duke përmendur Ardiana Thaçi Mehmetin si shembull të gazetarisë investigative të guximshme. Ajo theksoi se gratë gazetare kanë vendosur standarde të reja në raportimin hulumtues, pavarësisht kërcënimeve dhe paragjykimeve gjinore.
Jonathan Hargreaves, Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, theksoi rëndësinë e rolit të grave në gazetari, veçanërisht në një kohë kur liria e medias dhe të drejtat e grave po sfidohen. Ai u zotua të flasë dhe të mbështesë fuqizimin e grave në këtë fushë, duke theksuar se gratë dhe vajzat do të jenë në qendër të Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor.
Maja Sever, Presidente e Federatës Evropiane të Gazetarëve, e nisi fjalimin e saj me thënien e fuqishme “Gratë simbolizojnë rezistencën!” Ajo foli për sfidat me të cilat përballen gratë gazetare, përfshirë seksizmin, kërcënimet, pagat e ulëta dhe hendekun gjinor, duke theksuar gjithashtu ngarkesën e dyfishtë midis punës në shtëpi dhe në zyrë. Pavarësisht këtyre sfidave, ajo riafirmoi angazhimin për arritjen e barazisë gjinore.
Jessica Blitt, Ambasadore Jo-Rezidente e Kanadasë në Kosovë, theksoi se liria e medias dhe barazia gjinore janë dy prioritete kryesore për Kanadanë. Ajo prezantoi temën e Kanadasë për 8 Marsin, “Forcë në çdo histori!”, duke theksuar rëndësinë e krijimit të mundësive të barabarta për gratë për një të ardhme të qëndrueshme dhe rritje ekonomike, si dhe rolin e rëndësishëm të zërave të grave dhe burrave mbështetës.
Nancy Soderberg, Drejtore e Lartë Rezidente e NDI Kosovë, citoi thënien e famshme të Madeleine Albright, “M’u desh një kohë e gjatë për të fitoj zërin dhe tani që e kam, nuk do të hesht.” Ajo theksoi se agjenda për gratë është më e rëndësishme se kurrë dhe se mbështetja e aleatëve burra është thelbësore. Soderberg shprehu gjithashtu mirënjohje të fortë për guximin dhe punën e gazetareve të Kosovës.
Fjalimet hyrëse u mbyllën nga Larisa Halilović, Udhëheqëse e Ekipit të WB Media for Change në British Council, e cila u shpreh e lumtur për krijimin e Rrjetit të Grave Gazetare të Kosovës, duke e falënderuar si një nismë për të sjellë ndryshim. Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes burrave dhe grave për të krijuar një mjedis më të mirë, duke përfshirë zërat e gjeneratave të reja, të vjetra dhe të atyre që nuk dëgjohen shpesh.
Pas fjalimeve hyrëse, konferenca vazhdoi me një diskutim thelbësor mbi rëndësinë e rrjeteve të grave gazetare dhe fuqizimin e tyre përmes bashkëpunimit rajonal. Ky panel, i moderuar nga Vlora Tuzi Nushi, Shefe e Zyrës së UN Women në Kosovë, mblodhi përfaqësuese nga rrjete të ndryshme të grave gazetare në rajon: Getoarbë Mulliqi (Kosovë), Elisabeta Bejkova (Maqedoni e Veriut), Irena Myzeqari (Shqipëri), Djurdja Radulović (Mali i Zi), Maša Mileusnić (Serbi) dhe Lajla Zaimović Kurtović (Bosnje dhe Hercegovinë).
Diskutimi u fokusua në sfidat me të cilat përballen gratë në media dhe mënyrat se si bashkëpunimi dhe rrjetëzimi mund të krijojnë hapësira më të sigurta dhe gjithëpërfshirëse për to. Panelistet ndanë përvoja nga vendet e tyre, duke theksuar se ndërtimi i një solidariteti të fortë mes gazetareve është çelësi për një industri mediatike më të drejtë dhe të qëndrueshme. U theksua gjithashtu rëndësia e mekanizmave mbështetës që ndihmojnë gratë gazetare të adresojnë sfidat profesionale dhe të ushtrojnë gazetarinë me më shumë siguri dhe liri. Në fund, paneli shërbeu si një platformë për të krijuar lidhje të reja dhe për të forcuar angazhimin e përbashkët për një media më të barabartë.
Paneli i Dytë, me temën “Bashkëpunimi Rajonal përmes Rrjetit SafeJournalists”, u fokusua në rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar për mbrojtjen e gazetarëve dhe forcimin e lirisë së medias. Ky diskutim, i moderuar nga Cornelia Taylor, Udhëheqëse në Detyrë e Misionit të OSBE-së në Kosovë, solli perspektiva të ndryshme nga ekspertë dhe përfaqësues të organizatave gazetareske nga rajoni: Xhemajl Rexha (Kryetar i AGK-së), Rade Djuric (Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë), Monika Kutri (Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë), Lajla Zaimović Kurtović (Shoqata e Gazetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës) dhe Neda Chalovska Dimovska (Kryesuese e Hulumtimeve në Rrjetin SafeJournalists).
Panelistët diskutuan mbi sfidat e përbashkëta me të cilat përballen gazetarët në rajon, duke theksuar rëndësinë e SafeJournalists si një mekanizëm kyç për të garantuar sigurinë e tyre. Ata ndanë përvoja mbi kërcënimet, presionet dhe sulmet që gazetarët përjetojnë dhe theksuan nevojën për rritjen e ndërgjegjësimit, raportimin e rasteve të dhunës dhe forcimin e mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e gazetarëve. Diskutimi nënvizoi se vetëm përmes një angazhimi të përbashkët dhe një qasjeje të koordinuar në nivel rajonal mund të sigurohet një ambient më i sigurt për gazetarët dhe një liri më e fortë e medias.
Në sesionin e fundit të Konferencës, fokusi ishte tek gratë gazetare në Kosovë – roli i tyre, sfidat dhe mundësitë për të forcuar praninë e tyre në media. Paneli u moderua nga Larisa Halilović, Udhëheqëse e Ekipit në WB Media for Change, British Council, dhe bashkoi një grup të shquar gazetaresh dhe përfaqësuese të mediave: Artiola Babuni – Koordinatore dhe Hulumtuese në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës; Leonida Molliqaj – Drejtoreshë Ekzekutive në QIKA / Anëtare e Panelit Këshillues të Rrjetit të Grave Gazetare të Kosovës; Dafina Halili – Gazetare, Kosovo 2.0; Shqipe Desku – Gazetare lokale, Radio Alba, Klinë; Tatjana Lazarević – Kryeredaktore, Kossev, Mitrovica e Veriut; Gentiana Begolli Pustina – Drejtuese e Departamentit për Komunikim dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në RTK / Anëtare e Panelit Këshillues të Rrjetit të Grave Gazetare të Kosovës dhe Qendresa Tërshani – Gazetare, Klan Kosova / Anëtare e Panelit Këshillues të Rrjetit të Grave Gazetare të Kosovës.
Diskutimi u përqendrua në përvojat e tyre, duke sjellë shembuj të sfidave me të cilat përballen në punën e tyre të përditshme e deri te mungesa e përfaqësimit të grave në pozitat vendimmarrëse të medias. Panelistet theksuan nevojën për më shumë solidaritet, rrjetëzim dhe mbështetje institucionale për të siguruar një hapësirë më të barabartë dhe të sigurt për gratë gazetare. Një moment i veçantë nga konferenca ishte edhe ndarja e mesazheve nga dy gazetare të njohura ndërkombëtare, Claudia Peschiutta dhe Amanda Ferguson, të cilat përmes videomesazheve ndanë reflektime mbi sfidat dhe sukseset e grave në gazetari.
Konferenca “Women Journalists in the Spotlight” shërbeu si një hapësirë për ndarjen e ideve dhe përvojave mbi fuqizimin e grave në media. Diskutimet theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe veprimeve të përbashkëta për të siguruar një mjedis më të sigurt dhe më gjithëpërfshirës për gratë gazetare. Një falënderim i veçantë për të gjithë pjesëmarrësit, folësit dhe panelistët. Së bashku, vazhdojmë të fuqizojmë gratë gazetare dhe lirinë e medias!