Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, ka pranuar me shqetësim lajmin se ekipi i RTV 21, është ndjekur nga persona të maskuar në Leposaviq.
Gazetari Venhar Isufi, së bashku me kameramanin, Olti Pacolli, fillimisht janë penguar gjatë kryerjes së detyrave profesionale.
Sipas Isufit, ata janë kërcënuar dhe u është kërkuar të largohen nga vendi i ngjarjes.
“Jemi penguar të filmojmë negociatat të cilat janë bërë nga ish-kryetari i komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq me zyrtaret e KFOR-it.” u shpreh ai. “Ne tentuam të afrohemi për të xhiruar atë se çfarë po ndodhte dhe të njëjtit na kanë kërcënuar duke na thënë të largohemi nga aty dhe të mos i përdorim kamerat. Ndërsa, pas 15 minutave, kemi dalur më poshtë për ta përcjellur ngjarjen dhe pas nesh ka dalur nje person i maskuar me armë në bel i cili qëndronte aty.”
Sipas ekipit të RTV 21, ky rast është raportuar edhe pranë Policisë së Kosovës.
Për AGK-në, siguria e ekipeve të cilat po raportojnë nga veriu i vendit, vazhdon të jetë shqetësuese, ndërsa u bën thirrje PK-së, KFOR-it dhe EULEX-it, që të krijojnë kushte më të mira për ta.
Ky është rasti i 21-të i sulmeve, kërcënimeve e dëmtimeve të pronës private, të ekipeve të mediave, të cilat kanë raportuar mbi ngjarjet e fundit nga komunat në veri të Kosovës.