Gazetarët afganë të strehuar në Kosovë, që nga e hëna do të fillojnë të punojnë në hapësirat e Radio Kosovës. Përveç hapësirave, ata kanë në dispozicion për përdorim edhe mjetet e punës në këtë objekt.
Gjatë ditës së sotme, në shoqërimin e Kryetarit të Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, dhe Zyrtares Ligjore të ECPMF-së, Flutura Kusari, kolegët afganë u mirëpritën nga Drejtorja e Radios, Flora Durmishi, si dhe kolegët gazetarë me të cilët do të punojnë.
Për ofrimin e shfrytëzimit të hapësirave të transmetuesit publik, ishte zotuar Drejtori Gjeneral, Shkumbin Ahmetxhekaj, qysh në prill të vitit të kaluar, kur në Kosovë ishte strehuar edhe gazetarja e parë ukrainase.
AGK-ja dhe ECPMF-ja, falënderojnë gatishmërinë e udhëheqësisë së RTK-së, që t’u ndihmojë kolegëve afganë që të vazhdojnë të ushtrojnë profesionin e tyre.