Gazetarët ndajnë përvojat personale e të raportuarit nga zonat e konflikteve

Gazetarët ndajnë përvojat personale e të raportuarit nga zonat e konflikteve
Në pjesën e dytë të konferencës për shënimin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, është diskutuar për mbrojtjen dhe lirinë e gazetarëve gjatë raportimit nga zonat e konflikteve.
Pjesë e këtij paneli të diskutimit ishin Lyudmila Makey – Gazetare nga Ukraina, Kryetar i Sindikatës Kombëtare të Gazetarëve të Ukrainës, Sergiy Tomilenko, Saranda Ramaj – Gazetare në KTV dhe gazetari nga Shqipëria, Jul Kasapi, të cilët i ndanë me pjesëmarrësit e konferencës përvojat e tyre personale e të raportuarit nga zonat e konflikteve.
Lyudmila Makey – gazetarja ukrainase që tanimë është vendosur për të jetuar e punuar në Kosovë, ka thënë se që nga 24 shkurti i këtij viti i ka ndryshuar jeta rrënjësisht, por që është tejet falënderuese për mundësinë që iu është dhënë për të vazhduar raportimin nga Kosova.
“Që nga 24 shkurti, shumë gazetarë ukrainas kanë mbetur pa punë, pa shtëpi, pa profesion. Unë jam mirënjohëse për këtë ndihmë që më është ofruar nga Shteti i Kosovës për të qëndruar në profesionin e gazetarisë dhe kam nderin që të përfaqësoj Unionin e Gazetarëve të Ukrainës. Kur mbërrita në Prishtinë u ndjeva tejet e lumtur me vëmendjen që mora nga kolegët e mi gazetarë për t’u treguar për përvojën time si gazetare që vij nga Ukraina. Mirëpo, në njërën nga intervistat që më është bërë, një gazetare më ka pyetur se përse duhet t’u besojmë gazetarëve ukrainas, përgjigjen e së cilës dëshiroj ta them këtu. Ju duhet të na besoni neve që kriminelët të mos e thonë të ‘vërtetën’ e tyre.”, ka thënë ndër të tjera Makey.
Përmes një lidhjeje të drejtpërdrejt, konferencës iu është bashkuar edhe Kryetari i Sindikatës Kombëtare të Gazetarëve të Ukrainës, Sergiy Tomilenko, i cili është shprehur falënderues për gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për t’i ndihmuar gazetarët ukrainas.
“Është nder i madh për mua që të marr pjesë në këtë konferencë. Andaj, do të doja të ndaj me ju në pika të shkurtra prioritetet tona si sindikatë. Natyrisht që prioriteti ynë i parë është siguria e gazetarëve, asistimi i kolegëve që janë duke raportuar nga zonat e okupuara të Ukrainës, që deri në këtë moment janë katër regjione të okupuara. Ne tentojmë t’i evakuojmë gazetarët në zona më të sigurta të Ukrainës si dhe jo stabiliteti i mediave ukrainase. Që nga fillimi i luftës e deri më tani janë vrarë 24 punonjës medialë, katër prej të cilëve janë gazetarë”, ka thënë Tomilenko.
Përvojat personale të raportimit nga zonat e konfliktit i kanë ndarë edhe gazetarja Saranda Ramaj dhe gazetari Jul Kasapi.
Ramaj përveç faktit që e ka cilësuar si një përvojë të jashtëzakonshme, ka thënë se synim ka pasë gjithmonë të raportojë nga Ukraina dhe jo kufiri Poloni – Ukrainë.
“Mendoj që ka qenë më shumë punë fati që unë kam arritur të hy në Ukrainë, për shkak të faktit që të gjithë e dimë për raportet Kosovë-Ukrainë, dhe pamundësinë e gazetarëve kosovarë për të raportuar nga kjo zonë e konfliktit. Personalisht, kam menduar gjithmonë që duhet të tentohet të futem në Ukrainë edhe pse dihen rrethanat dhe se sa problematike është edhe mungesa e përvojës sepse unë e konsideroj që jam ende gazetare e re dhe nuk kam pasë përvoja të mëparshme që të raportoj nga zona të konfliktit. Andaj, më shumë kam lexuar se si të raportoj nga këto zona e jo kufiri.”, ka thënë ajo.
Teksa, gazetari Kasapi përveç raportimit nga Ukraina, ka ndarë përvojat e raportimit edhe nga Siria në vitin 2019 nga kampet ku kishte shqiptarë, përvojën e vitit 2021 kur ka raportuar për një front lufte për krimin e organizuar nga Amerika Latine drejt Shqipërisë.
“Duke pasë edhe eksperiencën e Sirisë, dija që do të duhej të atashoheshim pranë ushtrisë. Njihet botërisht se si gazetarët atashohen pranë një forcë ushtarake dhe më pas arrijnë të kryejnë punën e tyre. Në rastin e Ukrainës ishte pak më vështirë, pasi që nuk kishim informatën që do të duhet të kishim akreditim ushtarak, por ashtu siç ndodhë me të gjithë gazetarët edhe unë kam pasë problem me ushtrinë ukrainase sepse kam filmuar një nga post-blloqet hyrëse në qytet dhe supozohej që ishte njëra nga pikat strategjike që nuk duhet të xhirohej, por kjo ndodhi pasi që nuk kishim përvojë që të raportoj në një shtet ku funksionon ligjin e luftës dhe kur flas për ligjin e luftës, aty edhe policia duhet të pyeste ushtrinë se si duhet vepruar”, ka thënë ndër të tjera ai.
Konferenca e sotme është organizuar në bashkëpunim dhe me mbështetjen e dhënë të OSCE Mission in Kosovo dhe UN Kosovo Team.