Gazetarët ukrainas dhe afganë trajnohen për Gazetarinë Tranzicionale

Gazetarët ukrainas dhe afganë trajnohen për Gazetarinë Tranzicionale

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka vazhduar dje me serinë e trajnimeve për gazetarët e strehuar në Kosovë, në kuadër të programit, Gazetarët në Rezidencë.

Kolegët ukrainas dhe afganë, u trajnuan për ballafaqimin me të kaluarën dhe gazetarinë tranzicionale, nga ligjëruesi Abit Hoxha – profesor asistues në Universitetin e Agderit.

Gjatë trajnimit, u diskutua për përspektivat dhe kornizat etike të nevojshme për të raportuar mbi konfliktet dhe çështjet shoqërore, Gjithashtu, se si mund të kontribuojnë gazetarët në diskursin publik më të informuar, empatik dhe të orientuar drejt paqes.

Gazetarët së bashku me profesorin Hoxha, patën rastin të analizojnë përmbajtjet mediatike lokale dhe ndërkombëtare të raportimit mbi këto tema.

Hoxha ligjëroi edhe për drejtësinë tranzicionale dhe rolin kyç të gazetarëve në procesin e promovimit te llogaridhënies, drejtësisë dhe pajtimit. U diskutua edhe për sfidat të cilat përballen gazetarët kur mbulojnë çështjet e drejtësisë tranzicionale, përfshirë këtu mungesën e aksesit në informacion, presionet politike, çështjet e sigurisë etj.

Trajnimi u mbajt në kudër të programit JiR – Kosovo, program i iniciuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, implementohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, dhe mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe iniciativa Hannah Arendt.