Qeveria e Republikës së Kosovës sot ka miratuar vendimin për zgjatjen e lejeqëndrimit të gazetareve ukrainase të strehuara përkohësisht në Kosovë.
Zgjatja e lejeqëndrimit është bërë në 31-vjetorin e Pavarësisë së Ukrainës, dhe është bërë e ditur nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Në solidaritet dhe festë të Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, sot ua zgjatëm qëndrimin gazetarëve ukrainas në Kosovë, ngritëm flamurin ukrainas krahas atij të Kosovës, dhe ngjyrosëm ndërtesën e Qeverisë sonë”, ka thënë Kurti.
Në Kosovë deri më tani janë strehuar 9 gazetarë ukrainas në kuadër të programit të ECPMF-së “Journalists in Residence – Kosovo” – i cili mbështetet financiarisht nga Qeveria e Kosovës.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës mirëpret vendimin e Qeverisë për zgjatjen e lejeqëndrimit të kolegëve ukrainas, njëherësh shpreh gatishmërinë që të vazhdojë angazhimin për t’i ofruar atyre ndihmën e nevojshme.