PRISHTINË, 11.12.2018 Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës mirëpret trajtimin relativisht të shpejtë gjyqësor të kërcënimit ndaj gazetarit Bujar Vitija nga zyrtari publik Zenel Kuqi, por shpreh shqetësim për dënimin minimal të shqiptuar ndaj kërcënuesit.
Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar zyrtarin e prokurimit në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Zenel Kuqi me 200 euro gjobë, pasi më 8 qershor të këtij viti, kishte kanosur gazetarin Vitija përmes telefonit lidhur me një shkrim që kishte publikuar në portalin “Shneta”.
AGK konsideron se dënimet simbolike minimale reflektojnë negativisht në ambientin e të bërit gazetari dhe inkurajojnë sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.
Aktgjykimi i shqiptuar nga gjyqtarja Anita Krasniqi Prenaj, mban datën 8 nëntor 2018, ndërsa është bërë i ditur për AGK-në nga gazetari Bujar Vitija i cili e ka pranuar dje dokumentin nga gjykata. Ai ka bërë të ditur se nuk është ftuar për të marr pjesë në asnjë seancë gjyqësore. AGK kërkon nga institucionet gjyqësore që t’i ftojnë gazetarët për t’i dëgjuar versionet e tyre lidhur me kontestet që kanë.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës rithekson kërkesën ndaj institucioneve të rendit dhe të drejtësisë për trajtimin me prioritet të rasteve ndaj gazetarëve, për shkak të misionit të tyre në funksion të informimit dhe mbrojtjes së interesit publik. AGK po ashtu kërkon që sulmuesit dhe kërcënuesit e gazetarëve të marrin dënim të merituar, me qëllim të parandalimit të akteve të tilla dhe krijimit të një ambienti të sigurt veprimi për gazetarët.