Kërcënimet ndaj gazetarëve nuk janë prioritet për gjykatat

Kërcënimet ndaj gazetarëve nuk janë prioritet për gjykatat

Sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, mungesa e besimit të gazetarëve në institucionet e drejtësisë dhe mos trajtimi i rasteve të gazetarëve me prioritet, vazhdojnë të mbesin sfidë në Kosovë. Vetëm gjatë vitit 2019, tre gazetarë kanë lajmëruar në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, sulmet që janë bërë ndaj tyre, shtatë të tjerë kanë treguar për kërcënimet që u janë bërë dhe dy raste janë regjistruar për pengim të detyrës së gazetarit. Gazetarët janë të shqetësuar lidhur me ambinetin ku punojnë, ndërkohë që njohës të drejtësisë kërkojnë që rastet e kanosjeve ndaj gazetarëve të trajtohen me priroitet nga organet e sigurisë dhe drejtësisë.

 

Kërcënimet ndaj gazetarëve

Derisa po hulumtonte një rast penal ku ishte e përfshirë Bashkësia Islame në Pejë, lidhur me zhvarrosjen e një  trupi për të liruar hapëisrë për një tjetër trup, gazetari Diamant Bajra kishe hasur në vështirësi për të kryer punën e tij prej gazetari.

Pasi kishte publikuar denoncimin e njërës familje lidhur me këtë rast, dicka që i printe hulumtimit që ai ishte duke e ralizuar, ai u përball me kërcënime të rënda nga imami i kësaj bashkësie.

“E gjithë ngjarja e zhvarrimit ishte zhvilluar pa praninë e familjarëve të viktimës dhe pa dijenin e tyre. Më pas rastin e kishin dorëzuar në polici dikush nga familjarët e atij trupi që ishte zhvarrosur në atë mënyrë duke denoncuar veprimin e kreut të BIK-ut Musli Arifi. Aso kohe kam publikuar denoncimin e familjarëve për rastin, që i paraprinë hulumtimit që isha duke e zhvilluar. Gjatë asaj kohe pastaj imami në fjalë kishte shfrytëzuar mekanizmat e vet për të kuptuar më tepër rreth meje, familjes, vendqëndrimit të familjes etj”, thotë  Bajra.

Bajra i cili punon gazetar në Gazetën Blic, thotë se kërcënimet kanë filluar përmes telefonit kur kishte kontaktuar imamin lidhur me zhvarrimin.

“Unë të njoh kush je se Istogu edhe Izbica nuk janë larg, familjarisht të njoh mirë kush je. Tash e tutje unë me ty e kam personale. Edhe njëherë me shqetëson une kam me thirrë policinë, për ngacmim dhe për shpifjet që mi ke berë. Ti je duke e krye punën e shpifësit, në llogari të shpifësit. Prandaj edhe njëherë me thërret, dije që ke me pas telashe me mua. Ti merre si të duash. Hera e parë dhe e fundit, hera e parë dhe e fundit është që ti më shqetëson mua. Istogu e Izbica nuk janë në hanë, a e ke të qartë”, pati përsëriti ai, duke kërcënuar familjen time që atë kohë jetonte në fshatin Izbicë”, citon Bajra t’i ketë  thë në  imami i Bashkë sisë  Islame në  Pejë .

Ky është vetëm një prej rasteve të kërcënimit ndaj gazetarëve gjatë vitit 2019 në Kosovë.

Edhe pse, jo të gjithë gazetarët lajmërojnë rastet e tyre në organizatën që mbledh rreth vetës këtë komunitet.

Ani pse Kushtetuta dhe ligjet në Kosovë garantojnë lirinë e mediave, gazetarët përballen me sfida të mëdha derisa ushtrojnë profesionin e tyre.

Jo rrallë herë ata janë cak i sulmeve, kërcënimeve dhe gjuhës fyese derisa raportojnë për probleme të  ndryshme në vend.

Përvec rasteve kur janë sulmuar dhe kërcënuar, gjatë vitit 2019 në AGK janë shënuar gjashtë raste me gjuhë lincuese ndaj gazetarëve apo mediumeve, nje rast me frikësim dhe një sharje e presion ndaj gazetarit.

Derisa bëjnë thirrje që rastet e kërcënimev ndaj gazetarëve të trajtohen me prioritet nga organet e drejtësisë , gazetarë dhe njohës të cështjeve të drejtësisë thonë se raste të tilla marrin vëmnedje të madhe në publik për shkak të rolit të gazetarit dhe shpërndarjës së lajmit nga mediat.

Pas kërcënimeve ose sulmeve që marrin, gazetarët i drejtohen Policisë së  Kosovës, e cila reagon për t’iu përgjigjur kërkesave për mbrojtje nga kanosjet apo sulmet.

Dorentima Thaci, gazetare në  KTV, është  kërcënuar në shkurt të vitit 2019 deria po raportone rreth një  sulmi që një mësimdhënës i i kishte bërë një tjetri.

Ajo thotë se herë pas herë  është ndjerë e pasigurtë gjatë kryerjës së punës.

“Unë jam kërcënuar gjatë muajit shkurt të 2019, nga një mësimdhënës i cili punon në një shkollë në Ferizaj. Unë kam realizuar një kronikë, që është transmetuar në mediumin ku unë punoj, në KTV, lidhur me një rast të sulmit, ku  mësimdhënësi R.M kishte sulmuar një koleg të tij në shkollë. Kërcënimet që unë kam marrë nga ai person nuk kanë ndikuar që unë të vazhdojë punën, por që në disa raste jam ndier e pasigurt, shkaku i së kaluarës së tij. Pas ardhjes së atij personi në redaksinë e Grupit Koha, dhe sjelljeve të tij, e kemi paraqitur rastin në Policinë e Kosovës. Gjatë marrjes së deklaratës nga zyrtarë policor, kam vërejtur jo seriozitet ndaj tyre, karshi meje”, thotë  Thaci.

Rastet e sulmeve ndaj gazetarëve nuk trajtohen me prioritet nga organet e drejtësisë

Përvec sulmeve dhe kërcënimeve me të cilat përballen gazetarët, një brengë  e madhe e tyre mbetet mosshqyrtimi i rasteve të tyre me prioritet nga organet e drejtësisë .

“Kam shkuar në departametin për kërcëniimet ndaj gazetarëve, për të dorëzuar padi për kërcënim dhe aty është trajtuar me prioritet rasti im që më pas është përcjellur në prokurori me datën 8 Prill të vitit të kaluar. Në Gjykatë nuk mendoj se i është dhënë prioritet rastit tim, pasi që kanë kaluar aq kohë dhe nuk kam marrë asnjë njoftim zyrtar për ecurinë e tij ose ku ka ngecur. Për gjatë kësaj kohe kam marrë vetëm dy telefonata nga një prokurore e cila me ka pyetur nëse jam i intersuar që rasti im të jetë edhe më tepër në duar të drejtësisë. Për rastin tim nuk kam kontaktuar gjykatën e as prokurorinë sepse nuk kam dashur që interesimi im të interpretohet si presion në punën e tyre”, thotë  Diamant Bajra.

Bajra thotë se marrë  për bazë funksionimin e mekanizmave të drejtësisë që nuk zgjidhin këto raste me prioritet dhe japin hapësirë për fuqizimin e rolit të kërcënuesve, në  Kosovë  vazhdon mos të  ketë  ambient të favorshëm për ushtrimin e profesionit të gazetarit.

Madje, sipas tij situata është shqetësuese në mënyrë të veçantë  për për familjarët e gazetarëve, meqë sic thotë  ai, shpesh herë kërcënimet më tepër shkojnë në adresë të tyre.

Megjithatë, edhe në rastet kur janë  dënuar kërcënuesit, gazetarët vlerësojnë se dënimet e shqiptuara kanë  qenë qesharake.

“Që nga ajo kohë nuk kam pasur asnjë informacion se çfarë ka ndodhur me rastin, deri në janar të këtij vitit, kur më kanë ftuar nga Gjykata që të tërheq aktgjykimin ndaj këtij rasti. Mësimdhënësi është dënuar vetëm më 500 euro gjobë, dënim ky që për mua është i papranueshëm, por që të shohim nga një këndvështrim tjetër, besoj që është veprim i mirë i institucioneve të drejtësisë. Sipas mendimit tim, në Kosovë nuk ka ambient të sigurt për gazetarët, dhe se viteve të fundit nuk është parë ndonjë angazhim pozitiv i institucioneve për këtë çështje”, thotë  gazetarja Dorentina Thaci.

Besim Kelmendi, koordinator nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit për trajtimin e rasteve të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve thotë  se rastet e kanosjeve ndaj gazetarëve trajtohen me prioritet.

“Rastet ku të dëmtuar janë gazetarët për shkak të punës së tyre si gazetarë, zakonisht trajtohen me prioritet, mirëpo secili rast varet shumë nga mundësitë e Policisë dhe vet të dëmtuarit për të siguruar prova”, thotë Kelmendi.

Kelmendi thotë se në vitin 2019 janë marrë 6 vendime pë fillim të hetimeve, dhe 1 për pushim të hetimeve.

Sipas të dhënave të Prokurorisë gjatë vitit 2019 janë regjistruar 11 raste kur gazetarë kanë raportuar kërcnimet që u janë bërë atyre. Dhe dy raste të tjera që nuk patën epilog në vitin 2018, janë bartur në vitin vitin e kaluar.

Nevoja urgjente për trajtimin e rasteve të kanosjeve ndaj gazetarëve

Zëvëndësdrejtori ekzekutiv i Institutit të  Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu thotë se rastet e kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe mediave në përgjithë si, duhet të trajtohen me prioritet absolut nga organet e sigurisë, ndjekjes dhe gjyqësorit për shkak të rëndësisë së vecantë që kanë në mbrojtje të fjalës së lirë dhe lirisë së shprehjes.

“Organet e drejtësisë në Kosovë, vazhdimisht kanë tentuar që përmes retorikave të ndryshme, të krijojnë opinionin se janë të përkushtuar që këto raste t’i trajtojnë me prioritet, por në praktikë ndodhë e kundërta. E vërteta është se rastet e kërcënimeve ndaj gazetarëve, marrin vëmendje më të madhe në publik për shkak të rolit të gazetarit dhe shpërndajes së lajmit nga mediat, por që veprimet e organeve të drejtësisë, sidomos prokurorisë dhe gjyqësorit, janë joadekuate. Policia bën përjashtim, sepse në shumicën e rasteve, reagon për t’iu përgjigjur kërkesave për mbrojtje nga kanosjet apo sulmet, por procedimi i këtyre rasteve në ndjekje nga prokuroria dhe dënimet ndaj tyre nga gjyqësori, janë joadekuate dhe deri tash është dëshmuar se nuk kanë arritur që të krijojnë një ambient më të sigurtë për ushtrimit e profesionit të gazetarisë, ku publiku dhe qytetarët, do ta kuptojnë më drejtpërdrejtë se cfarëdo kanosje ndaj gazetarit paraqet rrezik të madh për ta, sepse pasojat do t’i kenë të mëdha. Ky mesazh nuk është dhënë nga sistemi i drejtësisë, i cili në parim, të gjithë ata që kanosin gazetarët, i ndëshkon me urdhëra ndëshkimor, pra me gjoba”, thotë  Musliu.

Betim Musliu i cili është edhe kryeredaktor dhe autor i emisionit “Betimi për Drejtësi” jo rrallë herë është  kërcënuar, madje ka marrë edhe kërcënime me vdekje, por që rastet të tilla nuk ka dashur t’i bëjë publike në  kohën kur kanë ndodhur, por ka ndjekur rrugët ligjore duke bërë denoncim në polici.

“Në parim kam dashur të ndjekë rrugët ligjore, duke denoncuar kërcënuesit në polici, në mënyrë që ta bëjnë punën e tyre në mënyrë të pavarur, profesionale dhe pa presione publike. Në rastet e mia, vlerësojë se policia e ka kryer punën si duhet, duke reaguar në kohë, por organet e drejtësisë kanë dështuar të ecin tutje për të bërë hetim të thellë dhe për të shqiptuar dënime adekuate. Në përvojën time, kërcënuesit me jetë, më së shumti kanë arritur të dënohen me dënim me gjobë, e cila në një rast, madje as nuk është paguar, sepse ka arritur që lënda të parashkruhet në gjykatë. Pra, kjo paraqet mjerim dhe përmes kësaj neglizhence të organeve të drejtësisë, dërgohet mesazh tek të gjithë kërcënuesit, se ata mund të kërcënojnë gazetarët dhe të mbeten të paprekshëm, pa asnjë pasojë”, thotë  Musliu.

Zëvëndësdrejtori ekzekutiv i Institutit të  Kosovës për Drejtësi thotë se në  Kosovë ka shumë segmente të institucioneve të cilat kanë probleme me funksionimin e tyre në mënyrë efikase.

Sipas tij, problemet kryesisht burojnë nga joefikasiteti i sistemit të drejtësisë, i cili në masë të madhe është i ndikuar nga politika.

Sipas Musliut krejt ky ambient afekton edhe ambientin e sigurisë për të ushtruar lirshëm profesionin e gazetarisë.

Por, për avokatin Skënder Musa, gjykatat në Kosovë nuk i neglizojnë rastet që kanë të bëjnë me kanosje ndaj gazetarëve.

“Nga praktika e gjykatave në  rastet e kanosjeve në  Kosovë , deri tash nuk kam vë rejtur se ka neglizhencë , por nuk duhet harrur se pë r tu proceduar një  rast me sukses, duhet me pas prova dhe dë shmi, e kanosjet zskonisht ndodhin në  vende ku ë shtë  vë shtirë  të  sigurohen provat. Nuk besoj që  gjykata i neglizhon rastet e kanosjeve ndaj gazetarë ve, pasi liria e shprehjë s ë shtë  ndë r liritë  themelore të  njeriut, e në  kë të  rast vë rejtur që  gjykatat tona i kushtojnë  rë ndë si”, thotë  Musa.

Ndërsa kryeredaktori dhe autor i emisionit “Betimi për Drejtësi” konsideron se rruga drejtë suksesit për të pasur ambient të sigurtë për ushtrimin e profesionit të gazetarisë dhe profesioneve tjera është avancimi në respektimin e sundimit të ligjit, ku thkeson krijimin e një sistemi të drejtësisë të pavarur, të paanshëm dhe profesional.

Sipas tij, ky sistem i drejtësisë i pavarur dhe profesional do të mundësonte që në secilin segment të kishte reagime efikase dhe efektive, duke krijuar në këtë mënyrë ambient të favorshëm që gazetarët në secilin rast kur janë të kanosur apo sulmuar, të mbrohen në mënyrë adekuate nga shteti.

Që nga mbarimi i luftës së fundit në Kosovë, 15 gazetarë konsiderohet të jenë vrarë, por asnjë person nuk është gjykuar apo nuk ka dalë para drejtësisë.

 

Gentiana Kadrija/Gazetare

Agjencia e Lajmeve KosovaPress