Kërcënohen me vrasje Fatos Hetemi dhe Irfan Maliqi nga Plus TV në Viti

Kërcënohen me vrasje Fatos Hetemi dhe Irfan Maliqi nga Plus TV në Viti

Janë kërcënuar me vrasje gazetarët e medias lokale nga Vitia, Plus TV, Fatos Hetemi dhe Irfan Maliqi.

Redaksia e Plus TV, e ka njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës se mesazhet kërcënuese me vrasje i kanë pranuar nga një llogari në rrjetin social Facebook, pas shkrimeve të fundit të kësaj medie lidhur me dy xhamitë në Komunën e Vitisë.

Mesazhet kërcënuese me vrasje janë në drejtim drejtorit Fatos Hetemi dhe gazetarit Irfan Maliqi nga PlusTV…Këto kërcënime ndërlidhen me serinë e raportimeve të televizionit Plus lidhur me problemet e shqetësimet që kanë të bëjnë me xhamitë në Skifteraj dhe Ramnishtë, në këtë komunë, pasi Bashkësia Islame e Vitisë, në kuadër të BIK-ut, thotë se dy xhamitë, njëra në fshatin Skifteraj dhe tjetra në Ramnishtë, janë jashtë kontrollit dhe menaxhimit të BIK-ut dhe se frekuentohen nga njerëz të dyshimtë.”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e redaksisë.

Plus TV ka njoftuar se për kërcënimet i kanë njoftuar Policinë e Kosovës në Rajonin e Gjilanit.

AGK-ja, e vlerëson shumë serioz dhe të rrezikshëm kërcënimin dhe e dënon në termat më të fortë.

AGK-ja, e fton Policinë e Kosovës të kujdeset për sigurinë e gazetarëve dhe stafit tjetër të televizionit dhe të punojë intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e personit përgjegjës për kërcënimin.