Kërcënohet ekipi i Gazetës Express në Gjakovë

Kërcënohet ekipi i Gazetës Express në Gjakovë

PRISHTINË, 03.05.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është njoftuar nga gazetari i GazetësExpress, Mentor Gjergjaj se gjatë ditës së sotme ai së bashku me ekipin e kësaj gazetë kanë pranuar një kërcënim verbal nga një person në Gjakovë.

Gazetari Gjergjaj ka bërë të ditur se ka shkuar në Gjakovë për të raportuar për një rast vdekje të ndodhur në familjen Rizvanolli, me ç’rast ai ka pranuar kërcënime nga një person i cili ka drejtuar fjalë fyese dhe kërcënuese në drejtim të tij dhe ekipit të gazetës.

Gjergjaj ka thënë se personi i cili u prezantuar si dhëndër i familjes së të ndjerit Ilir Rizvanolli, e ka kërcënuar dhe është vërsulur në drejtim të tij.

“Me ka fy, me është vërsule, me ka thënë spiun dhe me ka thënë se do të kesh përgjegjësi”, ka deklaruar gazetari Gjergjaj.

AGK i bënë thirrje Policisë dhe Prokurorisë në Gjakovë që ta hetojnë këtë rast dhe kërcënuesi të sillet para drejtësisë.

Ky kërcënim është rasti i nëntë më radhë gjatë këtij viti dhe vije pikërisht sot ku po shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit.