Klan Kosova dhe organizata YIHR ballafaqohen në gjykatë

Klan Kosova dhe organizata YIHR ballafaqohen në gjykatë

PRISHTINË, 26.04.2018 – Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndërmjet Klan Kosovës, respektivisht drejtorit të saj Baton Haxhiu dhe organizatës Youth Initiative for Human Rights (YIHR).

Ky kontest juridiko – civil ka të bëjë me një padi të cilën drejtori i Klan Kosovës, Baton Haxhiu, në qershor të vitit 2010 e kishte ushtruar ndaj organizatës YIHR e cila në një nga raportet e saj të publikuar na maj të po atij viti, siç pretendon Haxhiu kishte shpifur ndaj Klan Kosovës duke e paraqitur atë si medium i cili e “favorizonte Partinë Demokratike të Kosovës”.

Seanca e katërt gjyqësore ndërmjet palëve ka bërë që dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja e palës së paditur, në këtë rast organizata YIHR t’i japin dëshmitë e tyre para gjykatës në lidhje me pretendimet që rëndojnë mbi këtë organizatë.

Me 24 maj të vitit 2010, organizata YIHR kishte publikuar raportin e quajtur “State of

Constriction” qëllimi i të cilit sipas përfaqësueseve të organizatës YIHR ishte matja e lirive dhe të drejtave të njeriut në Kosovë.

Në njërin nga paragrafët kryesore të këtij raporti bëhej fjalë edhe për kufizimin e raportimit të medieve, me konkretisht për skenën mediale të viteve 2008-2009, në të cilën autori i këtij raporti, Alex Anderson kishte dhënë opinionin e tij mbi animet politike të subjekteve mediale në Kosovë me ç’rast e kishte vlerësuar Klan Kosovën si medium i cili organizonte debate dhe panele të cilat e “favorizonin Partinë Demokratike të Kosovës”, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2009.

“Konkludimi im për parapëlqimin për PDK-në kishte të bënte me atë se në kohën e shikueshmërisë më të lartë në panele dhe debate të këtij televizioni ka pasur të ftuar analist që kanë shprehur opinione pro PDK-së. Për ta mbështetur konkludimin tim, qëndrojnë fakte të tjera ku vetëm pak muaj më vonë, po ata analistë të atyre programeve iu kanë bashkangjitur PDK-së”, ka thënë Anderson para gjykatës.

Anderson deklaron se ky raport ishte pasqyrim i mendimit dhe gjykimit të tij, mbi analizat që iu kishte bërë emisioneve televizive për rreth 6 muaj si dhe bisedave që i kishte pasur me qytetarë – shikues të këtyre programeve televizive.

Ai ka deklaruar se pas publikimit të raportit, Klan Kosova dhe drejtori i saj kishin reaguar për përmbajtjen e këtij raporti, me ç’rast kishin bërë vërejtje me shkrim për çka Anderson thotë pas pranimit të këtyre vërejtjeve, raportit të formës elektronike ia ka shtuar një fusnotë, me nr 81, e cila sipas tij nënkuptonte elaborim të asaj çfarë është thënë në atë paragraf e ku bëhej fjalë për lirinë e medieve.

Ky elaborim sipas Andersonit kishte të bënte me një kompliment të cilin ia kishte bërë Klan Kosovës si televizion inovativ, dhe e dyta, sipas tij sqaroj tutje se pse ai i kishte paraqitur qëndrimet e tij për një parapëlqim të Klan Kosovës ndaj PDK-së.

Ndërkaq, dëshmitarja e dytë në këtë rast ishte ish-drejtoresha ekzekutive e YIHR-së, Sara Maliqi, dhe deklaroi para gjykatës se raporti “State of Constriction” është ndër raportet më të mira të cilin e kishte përpiluar organizata dhe se qëllimi i këtij raporti ka qenë që të hulumtoj mbi problematikat që ndërlidhen me të drejtat e njeriut dhe me punën që e bëjnë institucionet në respektim të këtyre të drejtave.

Në anën tjetër, përfaqësuesja ligjore e Baton Haxhiut, avokatja Nora Veliu, i ka kundërshtuar dëshmitë e dëshmitarëve duke thënë se pala e paditur nuk e ka përmbushur barrën e provës për të dëshmuar vërtetësinë e përmbajtjes kontestuese të raportit dhe as nuk ka vepruar me përgjegjësi në hartimin e këtij raporti, dhe sipas saj, organizata YIHR e ka publikuar në raport një deklaratë të pavërtetë.

Ndërsa, përfaqësuesja ligjore e organizatës YIHR, Merita Stublla, ka thënë se qëllimi i këtij raporti ka qenë interesi publik dhe se pretendimet e paditësit nuk qëndrojnë. Ajo ka kërkuar nga gjykata ta trajtoj këtë rast si të pa bazuar dhe ta hedhë poshtë padinë e parashtruar.

Gjatë kësaj seance u mbajt edhe shqyrtimi gjyqësor i kësaj lëndë të kontestit civil, me ç’rast u bë edhe administrimi i provave nga ana e gjyqtares së rastit, Naime Ahmeti.

Gjyqtarja Ahmeti i obligoi të dy përfaqësuesit ligjorë që fjalën përfundimtare t’ia dorëzojnë me shkrim gjykatës dhe vendimi mbi këtë çështje juridiko-civile do t’iu dorëzohet palëve me shkrim brenda afateve të parapara me ligj.