Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha priti në takim Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport

Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha priti në takim Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport

Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës – AGK, Xhemajl Rexha, gjatë ditës së sotme priti në takim Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovës, Ambasadorin Michael Davenport.

Në takim u diskutua për mbështetjen e vazhdueshme që Misioni i OSBE-së në Kosovë i ka dhënë AGK-së deri më tani, si dhe gatishmërinë e të dyja palëve për të punuar bashkë për përmirësimin e kushteve të punës për gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët.

Gjithashtu, u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit në mes të AGK-së dhe Misionit të OSBE-së, si dhe realizimi i aktiviteteve të përbashkëta që lidhen me sigurinë e gazetarëve, gazetarinë hulumtuese dhe avokimin e lirisë së shprehjes.

Në këtë takim prezent ishin edhe Drejtoresha Ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi Bojaj dhe Shefi i Seksionit për Media në Departamentin e Demokratizimit në OSBE, Dane Koruga.