Gazetarja ukrainase, Lyudmila Makey, e shoqëruar nga Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha dhe Këshilltarja Ligjore në ECPMF, Flutura Kusari, kanë mbajtur një konferencë në zyret e AGK-së sot në nisje të zbatimit të projektit “Gazetarët në Rezidencë – Kosovo”, që parashikon mbërritjen në Kosovë të 20 gazetarëve nga Ukraina që është pushtuar nga Rusia.
Makey është shprehur mirënjohëse për mbështetjen e dhënë nga Kosova, si dhe solidarizimin e gazetarëve për luftën në Ukrainë.
“Sapo zbrita nga aeroplani e ndjeva sinqeritetin dhe mikpritjen e njerëzve që më takuan…Më ka bërë përshtypje tejet mase se si dhimbja e vendit tim ndjehet në zemrën e popullit të Kosovës. Jam mirënjohëse ndaj Qeverisë së Kosovës për mbështetjen ndaj popullit të Ukrainës në një moment kaq të vështirë, si dhe solidarizimin e kolegëve nga Kosova sepse është shumë e rëndësishme që bota të dëgjojë për Ukrainën”, tha ajo.
Makey gjithashtu tha se ndjehet tejet e nderuar që po përfaqëson Unionin e Gazetarëve të Ukrainës që ka mbi 16 mijë anëtarë, si dhe që po i jepet mundësia të raportojë nga Kosova.
“Jam sinqerisht mirënjohëse për mundësinë që të bëhem gazetarja e parë ukrainase që vjen në Kosovë. Për mua kjo është mundësi e mirë për të qëndruar në profesion dhe për të njohur kolegët gazetarë në Kosovë”, ka thënë mes tjerash ajo.
Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha tha se ndjehet krenar me punën që është bërë deri më tani për akomodimin e kolegëve nga Ukraina, si dhe vullnetin e kolegëve e medieve nga Kosova për t’u ofruar hapësirë pune gazetarëve që do të vijnë në Kosovë.
“Hapësira e AGK-së do të shërbejë për gazetarët e parë si vend pune, njëherësh falënderojmë të gjithë kolegët dhe mediet e tjera që kanë shprehur gatishmëri për t’i ofruar hapësira pune për kolegët nga Ukraina. Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për AGK-në, është solidaritet në vepër dhe jam shumë krenar me punën që është bërë dhe do të bëhet, dhe me gjithë vullnetin e gazetarëve, kolegëve për t’i ndihmuar gazetarët nga Ukraina”, tha ai.
Teksa, Flutura Kusari nga ECPMF, tregoi se përveç buxhetit që është ndarë për akomodim, shpenzimeve mujore dhe udhëtimit, kolegëve nga Ukraina u janë siguruar edhe kurse të Gjuhës Shqipe, shërbime mjekësore dhe psiko-sociale.
“Me buxhetin që është ndarë, që është 150 mijë euro për gjashtë muaj, gazetarët që do të vijnë në Kosovë do të marrin 500 euro në muaj për shpenzime mujore, 300 euro për qira të banesës dhe rreth 1 mijë euro për udhëtim për të ardhë në Kosovë, dhe për t’u kthyer në vendin e tyre kur të vjen koha e duhur. Ne po ashtu, kemi siguruar shërbime mjekësore, shërbime psiko-sociale, kurse të Gjuhës Shqipe dhe kurse të integrimit, dhe po ashtu falë AGK-së dhe medieve të tjera kemi siguruar zyre dhe redakësi ku gazetarët do të mund të punojnë”, tha Kusari.
Ajo gjithashtu njoftoi se roli kryesor i ECPMF-së së bashku me Federatën Europiane të Gazetarëve është verifikimi i gazetarëve që aplikojnë për t’u bërë pjesë e progaramit “Gazetarët në Rezidencë”.
“Roli i Qendrës Europiane për Liri të Shtypit dhe të Medias, dhe EFJ-së është pranimi i kërkesave të gazetarëve nga Ukraina dhe verifikimi i tyre. Ne duam të sigurohemi që gazetarët që vijnë në Kosovë, janë gazetarë të cilët njihën në Ukrainë dhe këtë e bëjmë në bashkëpunim me dy Unionet e Gazetarëve në Ukrainë”, tha ajo.
“Gazetarë në Rezidencë në Kosovë”, është program i inicuar nga Qendra Europiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), i financuar dhe mbështetur nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme .
Programi është duke u zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e OSBE-së dhe European Endowment for Democracy, si dhe në bashkëpunim me dy unionet e gazetarëve në Ukrainë.