Mbahet trajnimi për raportimin e përgjegjshëm për diabetin

Mbahet trajnimi për raportimin e përgjegjshëm për diabetin

Një një trajnim dyditor të IHS Project dhe AQH Project, mbi 20 gazetarë diskutuan këtë fundjavë për raportimin e përgjegjshëm dhe etik të shëndetit, me fokus diabetin.

Në këtë trajnim që u ligjërua nga Sokol Shameti, u diskutua për rëndësinë e gazetarisë shëndetësore dhe rolin e saj në shoqëri, si të shndërrohen informacionet komplekse mjekësore në lajme të kuptueshme nga publiku, shmangia e përdorimit të zhargonit mjekësor, teknikat për ruajtjen e saktësisë dhe besueshmërisë në raportimin shëndetësor, metodat kryesore për hulumtime në fushën e shëndetësisë; si të vlerësohen burimet dhe të verifikohen të dhënat, aspekte etike të raportimit shëndetësor, intervistimi i punonjësve shëndetësorë, e të tjera.

Gjithashtu, gazetarët e pranishëm në këtë trajnim patën mundësinë të ndanin përvojat e tyre të raportimit nga kjo fushë, duke rrëfyer edhe ngjarjet prapa lajme që kanë raportuar, e nuk janë të ditura për publikun.

Si rezultat i këtij trajnimi, më 14 nëntor 2024, në Ditën Botërore të Diabetit, do të ndahen tre çmime për raportimet me të mira rreth diabetit.

Trajnimi u organizua nga IHS dhe AQH, nisma të përbashkëta të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.