Mediet online duhet të vetërregullohen

Mediet online duhet të vetërregullohen

PRISHTINË, 27/2018 – Mos zbatimi i kornizës ligjore që garanton lirinë e medias dhe të shprehjes, si dhe mos ndëshkimi i krimeve ndaj gazetarëve, janë vetëm dy nga problemet që assesi nuk mund të shmangen kur flasim për mjedis të sigurt për gazetarët në Kosovë.  Për trajtimin më të gjerë të kësaj teme, më poshtë lexoni intervistën e realizuar me juristen Furtuna Sheremeti, njohëse e së drejtës së medias. Ajo përveç trajtimit të problemeve me të cilat përballen mediet në Kosovë, flet edhe për rastet kur institucionet kanë treguar rritje të vetëdijes për çështjet që prekin lirinë e medias në vend.

Në çfarë shkalle e shihni sigurinë e gazetarëve në Kosovë, dhe si trajtohen nga drejtësia rastet kur është cenuar jo vetëm puna, por edhe jeta e gazetarëve?

Kur flasim për gazetarët, po edhe për çfarëdo procesi që ka të bëjë me sigurinë e njerëzve në Kosovë, duhet pasur parasysh kontekstin në të cilin zhvillohet biseda dhe në të cilin funksionon sistemi. Fatkeqësisht, në Kosovë trajtimi i rasteve në përgjithësi nga drejtësia, lë shumë për të dëshiruar, e këtu pastaj përfshihen normalisht edhe specifikisht rastet e gazetarëve.

Si ndikon mosndëshkimi i krimeve ndaj gazetarëve?

Mosndëshkimi i secilit krim e kthen sistemin mbrapa secilën herë dhe kjo është përveç e trishtueshme edhe shumë e rrezikshme sidomos kur flasim për gazetarët, për shkak se guximi i gazetarëve duhet të zhvillohet në proporcion me mbështetjen e sistemit, e jo në kundërshtim me të. Si pasojë e kësaj, rrezikojmë që gazetarët të heqin dorë nga objektivizmi dhe guximi i tyre, e kjo pastaj rrezikon fushën e gazetarisë profesionale në tërësi. Kështu që e sheh, krejt kjo është njëfarë procesi hallkor, ku neglizhenca e një pjese të sistemit, çon deri te dështimi i pjesës tjetër.

Si e vlerësoni kornizën ligjore që siguron lirinë e shprehjes dhe të medias, qasjen në informacion, mbrojtjen e burimeve të gazetarëve, standardet e raportimit profesional? A ka më shumë sfida në zbatimin e saj, apo duhen ndryshime jurdike në kornizën ekzistuese? 

Gjithmonë e kam thënë dhe vazhdoj ta them që në Kosovë problemet kryesore nuk qëndrojnë te korniza legjislative sa qëndrojnë tek mos zbatimi i saj adekuat. Gazetarët kanë mundësi të mjaftueshme teorike të shfrytëzimit të kornizës legjislative për të realizuar obligimet por edhe të drejtat e veta.

Sivjet, në fund të muajit nëntor, Kuvendi ka miratuar Projektligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve. Megjithatë, vetëm pak ditë para se të hynte në fuqi ky projektligj, në dy raste të ndara, u kërkua zbulimi dhe ndëshkimi i sinjalizuesve që raportuan për media shkeljet e bëra në institucionin e tyre. Si e vlerësoni projektligjin, miratimin e tij nga Kuvendi, si dhe pastaj kërcënimet direkte të  sinjalizuesve?

Sinjalizuesit si fenomen kanë qenë prezent në skenën politike në Kosovë edhe gjatë vitit që po lëmë pas, dhe është hap i mbarë që vëmendja është fokusuar më tepër në përmirësimin e kornizës legjislative rreth tyre. Shprehia e adoptimit të projektligjeve, ose e amandamentimit të ligjeve aktuale, është shumë prezente në shoqërinë tonë, por për mendimin tim kjo jo gjithmonë është zgjidhja e duhur. Projektligji i ri për shembull, për mendimin tim është problematik, sepse ndonëse ofron mundësi më të mëdha raportimi për sinjalizuesit (shih raportimin publik), dhe teorikisht i ofron mundësi shumë të mira sinjalizuesit, nuk merr parasysh në praktikë këto mundësi, e për më tepër as sigurinë e sinjalizuesit. Sinjalizuesit në disa pika të caktuara janë njësoj të ndjeshëm sikur dëshmitarët e mbrojtur në një proces penal, dhe si të tillë duhet trajtuar. Unë akoma qëndroj prapa mendimit se duhet krijuar një institucion i vecantë, ose degë e vecantë brenda një institucioni të pavarur, e cila do të merrej ekskluzivisht me sinjalizimet.

Si e plotëson ky projekligj kornizën ekzistuese ligjore të fushës së  medias në  Kosovë?

Teorikisht ky projektligj e plotëson kornizën ligjore të fushës së medias, por praktikisht nuk e ndihmon shumë. Fatkeqësisht!

Pavarësisht disa përpjekjeve, Kosova nuk ka një ligj të përgjithshëm për media, por pjesa dërmuesve e aspekteve që ndërlidhen me punën e mediave rregullohen përmes të paktën tetë ligjeve. A e shihni të  nevojshme nismën ligjore për krijimin e ligjit për media?

Para nismës ligjore për krijimin e një ligji të posaçëm për media, mendoj që është me rëndësi që të konsolidohet skena mediale brenda për brenda vetes. Për momentin kemi një numër të madh mediash online, portale, fusha e funksionimit të të cilave nuk është e rregulluar aspak. Natyrisht është e logjikshme kjo kur dihet se kjo shtresë mediatike përkrah vetërregullimin, dhe jo rregullimin e jashtëm. Megjithatë, konsideroj që duhet provuar të arrihet një konsensus bashkëveprimi në mes të aktorëve medialë fillimisht, që të mund të flitet për një nismë ligjore të tillë. Rregullimi, çfarëdo qoftë ai, konsideroj që duhet të vijë prej poshtë-lartë, e jo e kundërta.

Kur flasim për sigurinë  e gazetarëve, përveç faktorëve të  tjerë, natyrisht rëndësi të  madhe ka edhe përpjekja e gazetarëve. Sipas jush, çfarë  mundësi u jep kjo kornizë  ligjore vet gazetarëve që  të  mbrojnë  të  drejtat dhe punën e tyre, në  rast të  kërcënimeve të  çfarëdo lloji? 

Siç e thashë edhe më herët, korniza ligjore për gazetarët duhet parë në linjë me kornizën ligjore dhe praktikën gjyqësore të shtetit. Kur praktika gjyqësore shtetërore është në gjendjen që është, problematike është ideja që korniza ligjore për gazetarët të jetë një oazë. Gjithashtu, korniza ligjore si e tillë, vetëm mund të shërbejë për mbrojtjen teorike të punës së gazetarëve.

Institucionet e Kosovës nuk zbatojnë obligimin për seleksionimin e dokumenteve, në dokumente të  hapura për publikun ose dokumente  konfidenciale, sado që  ligji për qasje në dokumente publike parasheh një gjë të tillë. Gazetarët vazhdimisht përballen me refuzim për qasje në  dokumente publike. Sa ndikon kjo në  punën e gazetarëve, rrjedhimisht edhe informimin e publikut?

Për hir të korrektësisë duhet thënë që institucionet, viteve të fundit, kanë nisur të edukohen gjithnjë e më tepër në lidhje me procesin e qasjes në dokumente publike. Akoma jo në masë të kënaqshme natyrisht, por situata të themi është më mirë se që ka qenë para disa viteve.

Në Kosovë  konfidencialiteti i dokumenteve publike mbetet çështje interpretimi, si ndikon kjo në  gazetari dhe transparencën e institucioneve publike?

Kjo që përmendni ju është problematike, por jo vetëm për gazetarët, por për të gjithë. Fakti që  institucionet akoma interpretojnë në baza paushalle se cka konsiderojnë publike e cka jo, është qesharak. Sidomos për shkak se kemi praktikë gjyqësore që këtë e ka bërë shumë të qartë. Shihni rastin e BIRN vs Zyra e Kryeministrit i cili rast e sqaron shumë mirë hapësirën në mes të interesit publik dhe të drejtës për privatësi. Mendimi im është që po shfrytëzohet kjo amulli e kuptimit të drejtë të kornizës ligjore për interesa personale. Sepse korniza ligjore nuk është aq e komplikuar. Realisht është tejet e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë. Por institucioneve të caktuara u konvenon krijimi i një amullie të tillë.

Deri më tani, sa vlerësoni se ka krijuar terren përhapja e lajmit të rremë në Kosovë? A është e afërt dita kur Kosova do të duhej të krijojë legjislacion të ri për luftën ndaj lajmeve të rrejshme?

Lajmet e rreme (fake news) kanë nisur të bëhen trend botëror, dhe fatkeqësisht Kosova nuk është përjashtim. Megjithatë unë konsideroj që portale të caktuara jo profesioniste kanë nisur shpërndarjen e lajmeve të rreme në Kosovë edhe para se këto të bëhen senzacion i tillë. Unë konsideroj që Kosova është dashur të marrë masa edhe më herët për të atakuar lajmet e rreme, megjithatë fatkeqësisht sic e thashë edhe më lartë – krijimi i një legjislacioni të ri nuk garanton suksesin në luftën ndaj lajmeve të rreme. Sfida edhe këtu do të qëndronte në zbatimin e këtij legjislacioni. Përderisa dënimet janë kaq simbolike, një portal që fiton në sasi të mëdha para nga lajmet e rreme, është në gjendje që të vazhdojë të paguajë gjoba pafundësisht edhe të vazhdojë të merret me punën e vet’ në vazhdimësi. Ky është një lloj rrethi vicioz që kam frikë se nuk na sjell gjëkundi.

Gazetare: Gresë Sermaxhaj

Ky shkrim është prodhim i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës në kuadër të projektit Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Avokimin e Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve, e themeluar në janar të vitit 2016 me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi nuk mund të konsiderohet në asnjë rrethanë si pasqyrim i qëndrimit të Bashkimit Evropian.