OSBE mbështet zbardhjen e krimeve ndaj gazetarëve të vrarë në Kosovë

OSBE mbështet zbardhjen e krimeve ndaj gazetarëve të vrarë në Kosovë

PRISHTINË, 16.05.2018 – Misioni i OSBE-së në Kosovë do të mbështesë përpjekjet për të gjetur autorët e krimeve ndaj 14 gazetarëve të vrarë e të zhdukur në Kosovë.

Këtë e ka bërë të ditur shefi i këtij misioni, Ambasadori Jan Braathu gjatë zbulimit të një pllake përkujtimore për dy reporterë serbë të rrëmbyer në vitin 1999.

“Ata po bënin një punë shumë të rëndësishme për të informuar njerëzit në lidhje me atë që ndodhi vërtetë në zonën e konfliktit dhe kjo është arsyeja pse këmbëngulja jonë është për të gjetur se çfarë ka ndodhur,” shtoi Braathu.

Ai bëri thirrje tek institucionet që të punojnë në zbardhjen e rasteve ndaj gazetarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë të këmbëngulim që institucionet të punojnë për të gjetur autorët e këtyre krimeve. Misioni i OSBE-së në Kosovë do të këmbëngulë më shumë për këtë çështje në të ardhme,” deklaroi ai.

Pllakën përkujtimore për dy gazetarët e zhdukur në vitin 1999, Djuro Slavuj dhe Ranko Perenic e ka ngritur Asociacioni i Gazetarëve Serb në Kosovë. Kjo pllakë po ngritet për të shtatën herë, pas rënimeve të njëpasnjëshme.

“Këtë pllakë të cilën UNS për të shtatën herë po e vendos paraqet dëshmi se sa janë institucionet e interesuara që të punojnë në këto raste, madje të zbulojnë se kush po e shkatërron këtë pllakë,” tha Budimir Nicic, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve Serb në Kosovë.

Ai kritikoi punën e misionit të BE-së në Kosovë, EULEX duke thënë se ky mission nuk ka bërë asgjë për të ndriquar rastet e gazetarëve të vrarë.

“Këtë ne nuk e dimë, por ne e dimë se cila është puna jonë dhe ne do të vazhdojmë që ta punojmë, e kjo është që të flasim, të pyesim dhe të kërkojmë përgjigje se ku janë kolegët tanë dhe kush është përgjegjës për vrasjet e kolegëvë tanë të tjerë,’ tha Nicic.

Gazetarët e vrarë dhe të zhdukur janë: Djuro Slavuj dhe Ranko Perenic të Radio Prishtinës të zhdukur më 21 gusht 1998; Afrim Maliqi, i vrarë më 2 dhjetor 1998, Enver Maloku i vrarë më 11 janar 1999, Ljubomir Knezevic i zhdukur më 6 maj 1999, Milo Buljevic i zhdukur më 25 qershor 1999, Aleksandar Simovic i vrarë më 21 gusht 1999, Krist Gegaj i vrarë më 12 shtator 1999, Momir Stokuca i vrarë më 21 shtator 1999, Marjan Melonasi i zhdukur më 9 shtator 2000, Shefki Popova i vrarë më 10 shtator 2000, Xhemajl Mustafa i vrarë më 23 nëntor 2000, Bekim Kastrati i vrarë më 19 tetor 2001 dhe Bardhyl Ajeti i vrarë më 28 qershor 2005.