
Policia e Kosovës fillimisht ka penguar e më pas edhe ka gjobitur një ekip të Klan Kosovës, i cili kishte shkuar në vendin e ngjarjes për të raportuar për grabitjen e armatosur në rrugën Prishtinë – Gjilan.
Gazetari Flamur Gajtani, kameramani Arben Kajtazi dhe shoferi Gazmend Salihu, u penguan dhe më pas u gjobitën kur tentuan të shkojnë nëpër një rrugë alternative për të mbërritur te vendi i ngjarjes.
Policia e Kosovës gjithashtu ka gjobitur edhe ekipin e RTV Dukagjinit, gazetarin Mehmet Krasniqi dhe kameramanin, Visar Kryeziu. Kjo rrugë u lejua të përdoret nga qytetarët e tjerë, por jo edhe nga këto ekipe televizive.
AGK-ja, e dënon pengimin në punë të këtyre ekipeve dhe e fton Policinë e Kosovës, që në vend se të pengojë, të ndihmojë gazetarët që të bëjnë punën e tyre.