Një ekip i televizionit Kanal10, i përbërë nga gazetari Naim Kryeziu dhe kameramani Fatos Rakovica, janë penguar në kryerjen e detyrës së raportimit nga drejtori i Shkollës “Bajram Curri” në Fushë Kosovë, Fidan Hasani.
Gazetari Kryeziu dhe kameramani Rakovica, u penguan fizikisht dhe verbalisht nga drejtori i shkollës, gjatë tentimit për të raportuar lidhur me mungesën e ngrohjes në këtë institucion arsimor.
Pengimi i punës së gazetarëve, veçanërisht kur ata janë duke trajtuar tema me interes publik, përbën shkelje serioze të lirisë së medias dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar.
Sjelljet e tilla janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me standardet demokratike dhe vlerat që duhen të respektohen nga zyrtarët publikë.
AGK-ja u bën thirrje zyrtarëve të institucioneve publike që të jenë bashkëpunues dhe të respektojnë punën e gazetarëve.