Asociacioni i Gazetarëve të Kosovë të hënën, ka prezantuar raportin vjetor Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve, si dhe Indeksin e Sigurisë së Gazetarëve në Ballkanin Perëndimor, për vitin 2023, në kuadër të Platformës Rajonale SafeJournalists.
Raporti është hartuar nga hulumtuesja, Getoarbë Mulliqi, në bashkëpunim me Leonita Morina – asistente e projekteve, dhe përshkruan gjendjen e sigurisë së gazetarëve dhe çështjeve socio-ekonomike e politike në raport me lirinë e medias në Kosovë.
Gjetjet e raportit që fokusohet në tre tregues: kornizën ligjore, pozitën e gazetarëve në dhomën e lajmeve, si dhe sigurinë e gazetarëve, u prezantuan sot Mulliqi, Morina, si dhe Eksperti Ligjor i raportit, Yll Zekaj.
Sipas gjetjeve të këtij raporti, Kosova ka përjetuar një rënie të paparë më herët, sa i përket lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve. Krahasuar me vitin 2022, ku janë raportuar 33 raste, numri i sulmeve ndaj gazetarëve është rritur për 41, duke e bërë vitin 2023 vitin me numrin më të lartë të shkeljeve të lirisë së medias dhe sulmeve ndaj gazetarëve. Gazetarët që raportuan në komunat veriore janë përballur me kërcënime për jetën, sulme verbale dhe fizike, si dhe dëmtim të pronave personale dhe profesionale. Gjithashtu, në qershor, qeveria ndërmori hapa për të revokuar licencën e operimit të një prej televizioneve më të mëdha kombëtare, Klan Kosova. Rishikimi i licencës erdhi si pasojë e gjetjeve në dokumentacionin e korporatës pronare nga Ministria e Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë. Organizatat e shoqërisë civile vendore, në bashkëpunim me praninë ndërkombëtare në Kosovë, arritën ta parandalojnë këtë vendim nga zbatimi; megjithatë, kjo paraqet një kërcënim të paprecedent për lirinë e medias në Kosovë.
Teksa, si rekomandime të raportit u theksua nevoja që gazetarët t’i raportojnë të gjitha rastet e shkeljes së të drejtave të tyre, bashkëpunim më i mirë i institucioneve të Republikës së Kosovës me mediat, si dhe të krijohet sa më shpejt Sistemi i Menaxhimit të Lëndëve nga KGjK për rastet e gazetarëve.