PRISHTINË, 14.06.2018 – Projektligji për mbrojtjen e sinjalizuesve e ka marrë dritën jeshile nga Qeveria e Kosovës dhe është proceduar për votim në Kuvend. Ky projektligj parasheh mbrojtjen e sinjalizuesve të cilët shpalosin informacione për çfarëdo shkelje ligjore apo dyshimi i cili kërcënon dhe cenon interesin publik në vendin e tyre të punës, qoftë në sektorin publik apo edhe në atë privat, pa pasur frikë së mund të ndëshkohen nga punëdhënësi i tyre.
Ministria e Drejtësisë si hartuese e këtij projektligji në konsultime publike me akterë tjerë relevant të shoqërisë civile kanë paraparë që ky projektligj t’i ketë tri lloje të sinjalizimeve, që përfshinë sinjalizimin e brendshëm, të jashtëm dhe atë publik.
Raportimi i informacionit tek punëdhënësi sipas dispozitave të këtij ligji konsiderohet të jetë sinjalizim i brendshëm, raportimi tek autoritetet kompetente siç janë Prokuroria dhe Policia konsiderohet të jetë sinjalizim i jashtëm si dhe publikimi apo shpalosja e çfarëdo informacioni nga sinjalizuesit tek mediet është konsideruar si sinjalizim publik.
Ky projektligj, përveç që parasheh mbrojtjen e të drejtave të sinjalizuesve dhe konfidencialitetit nga personat përgjegjës të cilët i pranojnë dhe i trajtojnë informacionet nga sinjalizuesit për çfarëdo shkelje të kryera nga punëdhënësi i tyre, rëndësi të veçantë i kushton edhe mbrojtjes gjyqësore për sinjalizuesit, të cilët në rast se ju cenohet e ardhmja brenda institucionit, organizatës apo kompanisë ku punojnë kanë të drejtë në mbrojtje gjyqësore duke ushtruar padi për dëmin që i është shkaktuar në lidhje me sinjalizimin e tyre.
Në rast të miratimit të këtij projektligji nga Kuvendi i Kosovës, atëherë ky ligj, pashmangshëm do ë ndikonte në forcimin dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes në vendin tonë.