Ne të poshtëshënuarit kemi përcjellur me shqetësim të thellë mbledhjen e jashtëzakonshme të Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal në Kuvendin e Kosovës të mbajtur sot. Mbledhja ishte ftuar nga katër deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe në të të ftuar ishin anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).
Në këtë mbledhje të jashtëzakonshme nuk ishte përcaktuar agjenda e takimit dhe as nuk iu ishte komunikuar ndonjë agjendë anëtarëve të KPM-së, të cilët ishin ftuar në raportim, mediave, organizatave të shoqërisë civile dhe publikut të interesuar lidhur me monitorimin e kësaj mbledhjeje të Komisionit.
Në mbledhjen që zgjati rreth katër orë, deputetët e LVV-së në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin për KPM, praktikat dhe standardet ndërkombëtare që promovojnë pavarësinë institucionale të mekanizmave të tillë, ushtruan presion publik të paprecedent ndaj anëtarëve të KPM-së lidhur me miratimin e vendimeve që hyjnë në fushëveprimtarinë e këtij institucioni të pavarur kushtetues. Dëgjimi “mbikëqyrës” i deputetëve të Kuvendit të Kosovës i përcjellur me sulme dhe etiketime ndaj anëtarëve të KPM-së, përveç se ka shkelur pavarësinë institucionale, po ashtu ka cenuar edhe integritetin dhe dinjitetin personal të anëtarëve të këtij institucioni kushtetues. Kjo sjellje e partisë në pushtet prodhon mosbesim të qytetarëve në institucionet e pavarura dhe në punën e KPM-së.
Dëgjimi “mbikëqyrës” ishte manifestim i drejtpërdrejtë i ndërhyrjes politike nga ana e LVV-së në pavarësinë e anëtarëve të KPM-së me qëllim të frikësimit të tyre, denigrimit publik dhe shtrimit të rrugës për shkarkimin e tyre. Kjo ndërhyrje duhet të shihet si sulm në pavarësinë e një institucioni që Kushtetuta e parasheh të jetë i pavarur dhe përgatitje e kapjes politike në tërësi nga ana e VV-së të këtij institucioni posa të kompletohet korniza ligjore që tashmë është në Kuvend.
Sipas Kushtetutës dhe ligjit, anëtarët e KPM-së i marrin vendimet në mënyrë të pavarur dhe duke u bazuar në profesionalizëm, njohuri dhe bindje të tyre. Vendimet e KPM janë subjekt i të drejtës për ankesë përfshirë të drejtën për të shfrytëzuar mjetet juridike në gjykatë të garantuara me Kushtetutë dhe ligj.
Duke i ofruar mbështetje të plotë anëtarëve aktualë të KPM-së në ruajtjen e integritetit dhe pavarësisë së këtij institucioni, po ashtu ftojmë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që t’i ndalin sulmet e tilla që cenojnë pavarësinë e këtij institucioni dhe të përmbahen nga komentimi publik apo në Kuvend i vendimeve të tij. Po ashtu, i bëjmë thirrje Komisionit për Media që projektligjin problematik për KPM-në, i cili parasheh kontroll shtetëror për media, ta trajtojnë duke adresuar kërkesat e shoqërisë civile dhe standardet e Këshillit të Evropës dhe Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës
Flutura Kusari
Lëvizja FOL
Instituti i Kosovës për Drejtësi
Çohu
INPO
Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA
Instituti i Prishtinës për Studime Politike– PIPS
Instituti Musine Kokalari
Instituti Demokratik i Kosovës – KDI