PRISHTINË, 30.10.2016 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e konsideron të papranueshëm veprimin e presidentit Hashim Thaçi i cili gjatë konferencës së sotme nuk pranoi pyetjet e gazetarëve. E rikujtojmë presidentin Thaçi, se ai e ka për obligim që t’i përgjigjet interesimit të gazetarëve. Veprimi i sotëm i presidencës paraqet mosrespektim të gazetarëve dhe injorim të punës sonë. Njëherësh kërkojmë nga presidenca që t’iu kërkojë falje të gjithë gazetarëve për ngjarjen e sotme.
Presidenti duhet ta ketë parasysh që në daljet e tij të ardhshme përpara gazetarëve të pranoj pyetje dhe të përgjigjet në to, pasi që presidenca si institucion duhet të jetë pikë reference e transparencës.
Duke shfrytëzuar këtë rast, njëherësh iu bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve të institucioneve që të jenë më të hapur për mediet. Statuset e “Facebook-ut” nuk janë mjet i mirë i komunikimit, andaj të gjithë personat që mbajnë pozita të larta udhëheqëse në Kosovë duhet ta mendojnë seriozisht përmirësimin e komunikimit me gazetarët.