Relacioni Buxhetim i Përgjegjshëm Gjinor- media dhe sfidat për barazi gjinore

Relacioni Buxhetim i Përgjegjshëm Gjinor- media dhe sfidat për barazi gjinore

BPGj-ja si obligim ligjor

Buxhetim i Përgjegjshëm Gjinor do të thotë planifikim dhe buxhetim më i mirë për gra dhe burra. Ky term i përdorur shpesh së fundmi, nuk nënkupton që patjetër të rriten fondet, por mund të rezultojë në përdorim më efikas të fondeve ekzistuese, që i kontribuojnë barazisë gjinore.

“Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor nuk është qëllim në vetvete. Është vetëm një veprim institucional përmes së cilit zvogëlohen pabarazitë gjinore. Implementimi i duhur i BPGJ-së është esencial për arritjen e barazisë gjinore sepse sigurohet që nevojat e të gjitha grave, vajzave, djemve, dhe burrave nga prapavija të ndryshme mbulohen nga buxheti shtetëror”—thotë njohësja e çështjeve gjinore, Donjeta Morina.

Ndërkohë, Dea Pallaska O’Shaughnessy, Bashkëpunëtore e Programit për Popullsi dhe Zhvillim, Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara, UNFPA – Zyra në Kosovë, thotë se puna me BPGJ (Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor) shqyrton paragjykimet që mund të krijohen sepse një person është burrë ose grua, por në të njëjtën kohë konsideron disavantazhin e pësuar si rezultat i etnisë, klasës ose statusit të varfërisë, vendndodhjes dhe moshës.

“Ne fokusohemi te buxheti sepse buxheti është mjeti politik më i rëndësishëm i qeverisë, kjo për arsye se pa buxhet, respektivisht pa mjete financiare qeveria nuk mund ta zbatojë suksesshëm asnjë politikë. Prandaj, qeveria mund të ketë politikë shumë të mirë për shëndetin riprodhues, për dhunën mbi baza gjinore, për arsimin e vajzave apo për fuqizimin ekonomik të grave, mirëpo nëse nuk alokon mjete financiare të mjaftueshme për ta zbatuar atë, politika nuk do të ketë më shumë vlerë se sa vetë letra në të cilën ajoështë shkruar”- shton Pallaska O’Shaughnessy.

Me angazhimin e fuqishëm të Rrjetit të Grave të Kosovës, Agjencisë për Barazi Gjinore dhe partnerëve të tjerë zhvillimorë, nga viti 2014, Qarkoret Buxhetore me udhëzimet për planifikim buxhetor për komunat dhe ministritë që publikohen nga Ministria e Financave përfshijnë edhe udhëzimet për BPGj (Buxhetim të Përgjegjshëm Gjinor), duke e bërë kështu BPGj-në obligim ligjor për të gjitha institucionet në Kosovë nga viti 2015.

Liridona Sijarina nga Qendra Kosovare për Studime Gijinore, e sheh Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor si krucial për arritjen e drejtësisë gjinore për gratë, të cilat sipas saj, për shkak të politikave “neutrale” gjinore dhe dhunës sistematike, janë në pozitë të pafavorshme në të gjitha sferat.

BPGj-ja në institucionet kosovare

Dea Pallaska O’Shaughnessy, Bashkëpunëtore e Programit për Popullsi dhe Zhvillim, Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara, UNFPA – Zyra në Kosovë, thotë se nuk mund të pretendojmë se BPGJ është institucionalizuar tërësisht, sidomos duke marrë parasysh kapacitet e kufizuara brenda institucioneve për të zbatuar BPGJ. Për të adresuar këto mangësi, Rrjeti i Grave të Kosovës ka hartuar udhëzime konkrete për implementimin e BPGJ-së, dhe ka hartuar një kurrikulë trajnimi për BPGJ-në për zyrtarët qeveritarë, me tëcilin vazhdon trajnimi i tyre.

Në përputhje me Ligjin për Barazi Gjinore, qeveria e Kosovës duhet të integrojë aspektin gjinor në planifikimin, implementimin dhe monitorimin e zbatimit të të gjitha ligjeve, strategjive dhe politikave si në nivel qendror, ashtu edhe në nivel lokal, bazuar nga Ligji për Barazi Gjinore (2004).

Nga ana tjetër, Liridona Sijarina nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, thotë se, ndonëse Kosova ka bazë ligjore të konsoliduar që parasheh dhe sanksionon Buxhetim të Përgjegjshëm Gjinor, mungesa e mekanizmave dhe indikatorëve për matje brenda institucioneve publike e bën problematike konstatimin e saktë se deri në çfarë shkalle buxhetimi ka ndjeshmëri gjinore.

Edhe Donjeta Morina, njohëse e çështjeve gjinore, thotë se Kosova ende qëndron shumë larg zbatimit të BPGJ-së.

Derisa BPGj mbetet një koncept i ri në regjion dhe veçanërisht në Kosovë ekzistojnëshumë ide të gabuara që e rrethojnë. Nga Instituti i Kosovës për Administratë Publike, në raportin e tyre theksojnë se këto ide të gabuara shpesh mund të shkaktojnë vështirësi në institucionalizimin e BPGj-së. Ideja më e re e gabuar që e rrethon është ideja (e pasaktë) se BPGj-ja bën përpjekje të ndajë buxhetin në mënyrë të barabartë në mes të burrave dhe grave. Kjo nuk është e saktë sepse qëllimi kryesor i BPGj-së është të kryejë një analizë gjinore që do të dërgojë në një ndarje të barabartë të fondeve publike, theksohet në këtë raport.

Roli i madh medias në promovimin e BPGj-së

Media mund të shërbejë si një promotore e mirë e shumë kauzave, ndër to edhe për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor, mirëpo ka ende shumë për të bërë në këtë pjesë.

Gazetarja dhe studiuesja e sociologjisë, Leonora Aliu, thotë se ende ka mangësi në raportimet për çështjet që ndërlidhen me barazinë gjinore, qoftë nga njohuria e koncepteve, qoftë edhe për nga ana e profesionalizmi në raportim.

“Mendoj se në këtë drejtim, duhet më tepër investime edhe nga jashtë Kosovës, përmes trajnimit të gazetarëve dhe duke sjellë praktikat e mira, në bashkëpunim të ngushtë me Asociaionin e Gazetarëve të Kosovës”- rekomandon Aliu.

Aliu shton se ka përshtypjen që kur flitet për buxhet gjinor, ende ekziston një perceptim që po flitet për fond të veçantë dedikuar grave.

“Ky perceptim i gabuar duhet të luftohet pikërisht me analiza dhe raportime e debate analitike, në prime time, e jo siç ndodhshpesh vetëm në programe të mëngjesit apo pasdites që kanë një audiencë tëcaktuar, e jo në masë si ato të mbrëmjes”- thekson ajo.

Kurse, gazetarja Serbeze Haxhiaj, mendon se Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor në Kosovë është larg prej standardeve që duhet të aplikoheshin në vendet që respektojnë barazinë gjinore, dhe si rezultat i kësaj në media kemi një pozitë të dobët te grave.

Gazetarja dhe studiuesja e sociologjisë, Leonora Aliu, e sheh si shumë të rëndësishme që të ketë edhe sa më shumë fushata vetëdijësuese si nga organizatat që avokojnë për barazi, ashtu edhe nga ana e Qeveria dhe Agjencionit për Barazi Gjinore.

Për më tepër, PallaskaO’Shaughnessy , thotë se media mund të kontribuojë në informimin e BPGJ dhe monitorimin e implementimit të buxheteve publike, duke analizuar dukuritë shoqërore nga aspekti gjinor, duke hulumtuar dhe nevojat e grave dhe burrave, vajzave dhe djemve, dhe duke amplifikuar zërin e qytetarëve që janë në disavantazh dhe të shoqërisë civile për të shtuar presionin për planifikimin dhe realizimin e buxheteve me nevojat e qytetarëve në qendër, dhe për të kërkuar llogaridhënie nga institucionet.

Përveç medias, edhe fushatat sensibilizuese i kontribuojnë shumë ngritjes së një kauze të rëndësishme, siç është në këtë rast, Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor.

“Fushatat sensibilizuese rreth BPGJ, të menduara mirë, të përgatitura enkas për audienca të ndryshme dhe të planifikuara mirë në kohë, gjithsesi se mund të shërbejnë për ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe politikëbërësve lidhur me BPGJ dhe rëndësinë e tij”- thotë PallaskaO’Shaughnessy.

Të njëjtin mendim ka dhe Liridona Sijarina, e cila thotë se fushatat sensibilizuese gjithsesi se janë të nevojshme, dhe në raport me mediat, ekspertet/ët e BPGj-së duhet të përfshihen çdo herë e më shumë në trajnimet që ofrohen për punëtorët/et medial/e.

Pra, roli i medias është i jashtëzakonshëm në promovimin e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor dhe çfarë duhet të bëhet është të vazhdohet puna në dy drejtime. Përmes promovimit, ndikimit të medias dhe fushatave të vazhueshme sensibilizuese të arrihet deri në realizimin e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor në të gjitha institucionet.

Autor: Elion Kollçaku