Sot në zyrat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Kryetari i Bordit, Xhemajl Rexha dhe Drejtorja Ekzekutive, Getoarbë Mulliqi, mirëpritën zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Rexha dhe Mulliqi u takuan me Shefin e Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun, Major Baki Kelani, Shefen e Sektorit për Informim, Analizë dhe Komunikim, Majoren Luljeta Mehmeti-Quigley, Zyrtaren e Misionit të OSBE-së në Kosovë për Siguri Publike, Shpresa Mulliqi, Zyrtaren e Programit Kombëtar në Seksionin e Medias, Arlinda Osmanaj dhe Asistenten e Projekteve, Lavdije Zeqiraj.
Ky takim u bë me qëllim të koordinimit të aktiviteteve mes AGK-së, Misionit të OSBE-së, si dhe Policisë së Kosovës lidhur me sigurinë e gazetarëve, kameramanëve dhe fotografëve përgjatë raportimit nga tubimet, protestat, si dhe situatat e tensionuara.
Gjatë muajve në vijim, do të organizohet një akademi me ligjërata, trajnime e simulime me gazetarët, kameramanët dhe fotografët që e mbulojnë fushën e sigurisë, se si të sillen në situata të tilla në koordinim me Policinë e Kosovës.
Ky do të jetë viti i parë që do të fillojë një akademi e tillë për kolegët dhe do të bëhet me qëllim që të rritet niveli i bashkëpunimit mes gazetarëve dhe Policisë së Kosovës, pasi që të dyja palët e kanë për qëllim interesin publik.