Ndryshon ligji për median audiovizive, nga sot shtohet përkufizimi për seksizmin

0
86
Source/Author: https://citizens-channel.com/2023/04/13/ndryshon-ligji-per-median-audiovizive-nga-sot-shtohet-perkufizimi-per-seksizmin/?fbclid=IwAR3XxYIhsmgnHupGNCp9nnTfWARiomWVjojXNDhFa5hD4pK41RwKCfk5vIw
Source/Photo: Safe Journalists

Kuvendi miratoi projektligjin “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar”, ku u përfshi edhe përkufizimi për seksizmin.

“Me besimin se ky ligj më shumë se një rregullator për narrativen seksiste që ka mbytur mediat shqiptare do të jetë një vetëdijesim i audiencës se gratë dhe vajzat nuk janë objekte kënaqësie, por qenie njerëzore që frymojnë, mendojnë, veprojnë”,– u shpreh Sabina Kodra përfaqësuesje e rrjetit Gratë Shqiptare në Audiovizual (AWA), i cili prej kohësh ka lobuar për këtë iniciativë.

Sipas Valbona Sulçes, një nga konceptueset e ndryshimeve të propozuar për projekligjin, përkufizimi i seksizmit është një nga nëntë pikat e sugjeruara.

“Është miratuar nga nëntë pika që sugjeroheshin për t’u përfshirë në projektligj vetëm përkufizimi që është gjithsesi një fitore e madhe sepse ligji i mëparshëm nuk kishte asnjë përkufizim për seksizmin në media dhe përkufizonte gjithçka te pjesa e diskriminimit. Mirëpo diskriminimi është një fushë shumë e gjerë dhe lë shteg për interpretime ndërkohë që ka një përkufizim shumë të qartë nga ana e Këshillit të Evropës lidhur me seksizmin në media dhe mënyra se si adresohet nga pikëpamja ligjore”,-u shpreh Sulce për Citizens Channel.

Sipas saj, ky ndryshim në ligj vjen si nevojë për të harmonizuar legjislacionin shqiptar në kuadër të integrimit evropian.

Përkufizim që do të trajtohet më plotë nga Kodi i Transmetimit të AMA-s, i cili po ashtu ka përfshirë një seksion të posaçëm për seksizmin dhe është ende në proces konsultimi publik.

Sipas Sulçes, krijimi i një sesioni të posaçëm në Kod për seksizmin erdhi si pasojë e mënyrës si trajtohen vajzat dhe gratë në hapësirën mediatike.

“Objektifikimi i grave dhe vajzave në filma, klipe, reklama dhe programe televizive erdhi duke u shtuar me përhapjen e medias sociale. Seksizmi, në kuptimin e gjerë të tij, ka qenë i pranishëm edhe në mungesën e grave dhe vajzave në panele televizive dhe përdorimi i gjuhës seksiste në televizion, gjithashtu ka qenë një problem. Raportimi i gabuar mbi viktimat e dhunës me bazë gjinore, duke fajësuar viktimën ose duke mos respektuar të drejtën e saj për privatësi, gjithashtu ka qenë problematik”.

Kalimi i projektligjit në Kuvend tanimë mbetet i hapur për t’u plotësuar me rregullore të tjera dhe për tu zbatuar.

“Ne zakonisht kemi vuajtur nga mos zbatimi i ligjeve. Por duke e plotësuar këtë boshllëk kemi më shumë hapësira për të kërkuar llogari te institucionet që monitorojnë përmbajtjen e medias, për ta zbatuar dhe operatorët televizivë të kenë më shumë kujdes në përgatitjen e përmbajtjeve, të cilat janë të dëmshme për gratë dhe vajzat”,-përfundon Valbona Sulçe.