“Pandëshkueshmëria e krimit ndaj gazetarëve”, Shqipëria e fundit në rajon për raportimin dhe zgjidhjen e çështjeve

0
153
Source/Author: https://citizens-channel.com/2022/11/02/pandeshkueshmeria-e-krimit-ndaj-gazetareve-shqiperia-e-fundit-ne-rajon-per-raportimin-dhe-zgjidhjen-e-ceshtjeve/
Source/Photo: https://citizens-channel.com/2022/11/02/pandeshkueshmeria-e-krimit-ndaj-gazetareve-shqiperia-e-fundit-ne-rajon-per-raportimin-dhe-zgjidhjen-e-ceshtjeve/

Dy nëntori shënon Ditën Ndërkombëtare Kundër Pandëshkueshmërisë së Krimeve ndaj Gazetarëve.

Shqipëria renditet e fundit në rajon për sa i përket raportimit të sulmeve dhe kërcënimeve të gazetarëve në institucionet e drejtësisë, me vetëm katër raste të adresuara. Për vitin 2021 nuk ka asnjë çështje të zgjidhur në gjykatë e si rrjedhojë asnjë dënim për autorët, raporton rrjeti “Safe Journalists” në Shqipëri.

Në Ballkanin Perëndimor numri i sulmeve dhe kërcënimeve të raportuara sipas “Safe Journalists” është 179, prej të cilave 19 janë zgjidhur në gjykatë dhe janë dënuar vetëm 12 persona.

Avokati i Popullit: “Lypset më shumë reflektim e veprim”

Avokati i Popullit përmes një komunikimi në rrjetin social Facebook u shpreh se puna e gazetarëve mbetet jetike për mbarëvajtjen e demokracisë, sidomos në vende si Shqipëria ku demokracia ende synohet të arrijë standardet që dëshirohen nga të gjithë.

Avokati i Popullit bëri thirrje për veprim në raste indimidimesh të gazetarëve.

“Intimidimet e drejtpërdrejta apo indirekte ndaj gazetarëve, gjuha fyese apo urrejtëse ndaj tyre si dhe presionet e gjithëfarëllojshme, meritojnë të trajtohen si krime, e si të tilla, të ndëshkueshme”. 

Situata e gazetarëve në Shqipëri

Shqipëria mori renditjen më të ulët në Indeksin e Lirisë së Medias për vitin 2021. Nga 180 vende në indeks, Shqipëria u rendit e 103 në matjen e kryer nga Reporterët pa Kufij.

Pozicion ky i mbështetur edhe nga të dhëna e nxjerra nga Rrjeti “Safe Journalists”, sipas një raporti të publikuar për vitin 2021.

Sipas raportit, cilësia e përmbajtjes mediatike u përkeqësua dhe pavarësia editoriale u ndikua nga rritja e autocensurës. Ndërsa ka shenja të përkeqësimit të lirisë së shprehjes, të drejtës së informimit dhe lirisë së shtypit në vend.

“Në vitin 2021, cilësia e përmbajtjes së raportimeve si dhe pavarësia editoriale u përkeqësuan me rritjen e vetëcensurës nga gazetarët dhe zvogëlimit të hapësirës për gazetari të pavarur, kritike dhe investigative për shkak të frikësimit, presionit dhe ngacmimit,”-thuhet në raport.

Ndërsa nurmi i sulmeve ndaj sigurisë fizike së gazetarëve është i vogël, por edhe në ato pak raste kur raportohen nuk hetohen siç duhen apo nuk ka transparencë, theksohet në raport.

Siguria e gazetarëve preket edhe nga kushtet e punës.

“Ajo që kërcënon sigurinë e gazetarëve janë kushtet e tyre të punës, zbatimi i dobët i Kodit të Punës, sfidat specifike gjinore në sektorin e medias, shqetësimet e sigurisë dixhitale si dhe nxitja e ndjenjës së antipatisë ndaj mediave dhe presionet e përgjithshme kundër tyre”,-nënvizon raporti i Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt për vitin 2021.

Pozicioni i gazetarëve në redaksi

Gazetarët vijuan të punojnë me orare të zgjatura të papaguara, pa kontrata pune dhe nën presion.

Raporti i Safe Journalists tregon se rreth 5,970 gazetarë punuan me kontratë dhe 1,760 pa kontrata.  Rreth 80 përqind e reporterëve janë nën 35 vjeç dhe fitojnë më pak se 300 dollarë në muaj, dhe pothuajse 48 përqind e pagave u vonuan 2-6 muaj në 2021.

“Pagesat e sigurimeve janë ende problem shqetësues, veçanërisht mungesa ose leja e kufizuar e lindjes për të dy prindërit. Rregullsia e pagesave të pagave është ende problem, veçanërisht për gazetat, mediat online dhe ato vendore”, -thuhet në raport.

Sa i përket kushteve në vendin e punës sipas raportit vihet re mos respektim I tyre.

“Vihen re tendenca që lidhen me mosrespektimin e kushteve të punës, të tilla si mohimi i pushimeve të paguara, abuzimi verbal në vendin e punës dhe diskriminimi për shkak të gjinisë ose bindjeve politike; mungesa e sigurisë gjatë ushtrimit të detyrës; problemet e sigurisë në lidhje me raportimin e krizave të tilla si tërmeti, COVID-19, përmbytjet, protestat”.

Shqetësim tjetër mbetet edhe puna në të zezë.

“Gazetarët e mediave online raportohen më shpesh se punojnë në të zezë (pa kontrata pune) dhe në kushte anonimati. Kjo gjë nuk u bën të mundur atyre të mbrojnë të drejtat e autorit dhe as të krijojnë një profil personal profesional, për t’u bërë kështu pjesë e barabartë e komunitetit të gazetarëve profesionistë”,-thekson raporti.

Media në Shqipëri në raportet ndërkombëtare

Në raportin e fundit të Departamenti Amerikan të Shtetit (DASH) u vu re se Shqipëria ka probleme me lirinë e shprehjes dhe se qeveria, bizneset apo grupet kriminale janë përpjekur të ndikojnë në media.

Mediat e pavarura ishin aktive dhe shprehnin një shumëllojshmëri të gjerë pikëpamjesh”,- thotë raporti, por shton se pati përpjekje për të ushtruar presion të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë politik dhe ekonomik mbi median. Këtu DASH përmend kërcënimet dhe dhunën ndaj gazetarëve “që u përpoqën të hetonin krimin dhe korrupsionin”.

Problemi kryesor që përmend DASH në raport me mediat, është fakti që “pronarët e bizneseve i përdornin lirisht mediat e tyre për të siguruar favore dhe për të çuar përpara interesat e tyre me (mbështetjen) e partive politike”.

Raporti thekson se shumica e pronarëve të stacioneve televizive private përdorën përmbajtjen e transmetimeve të tyre për të ndikuar në veprimet e qeverisë ndaj bizneseve të tyre të tjera.

Pati njoftime të besueshme se përfaqësues të lartë të medias përdorën organet e mediave për të ushtruan shantazh ndaj bizneseve duke i kërcënuar me mbulim negative”,-thotë raporti.

Raporti i Freedom House publikuar më 2022 vlerëson se media në Shqipëri është pjesërisht e pavarur. Ndërsa thekson se rreth tetë persona kontrollojnë pjesën më ë madhe të tregut mediatik në Shqipëri, ndërsa shumica e pronarëve të medias e përdorin atë për të lobuar tek qeveria dhe partitë politike.

Shqipëria mori renditjen më të ulët në Indeksin e Lirisë së Medias për vitin 2021. Nga 180 vende në indeks, Shqipëria u rendit e 103 në matjen e kryer nga Reporterët pa Kufij.

Në raportin e vitit 2021 të Reporterëve pa Kufij, Shqipëria u rendit e 103 nga 180 vende në total, duke marrë renditjen më të ulët në indeksin e Lirisë së Medias. Ndërsa në vitin 2020, ajo u rendit në vendin e 84 nga 180 shtete të marra në studim.