Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists) dërgoi një letër shqetësimi në lidhje me situatën e rrezikimit të lirisë së medias në Shqipëri.

    0
    132
    Foto: Pixabay

    Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists) i dërgoi një letër shqetësimi Federatës Evropiane të Gazetarëve, Unionit Evropian të Transmetuesve dhe Olivér Várhelyi, Komisioner për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në lidhje me situatën aktuale të rrezikimit të lirisë së medias në Shqipëri.

    Para së gjithash, Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists) shprehu shqetësimin e tij për procesin e vonuar të zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Transmetuesit të Shërbimit Publik në Shqipëri (Radio Televizioni Shqiptar – RTSH) për më shumë se 7 muaj.

    “Ne shprehim shqetësimin tonë se nuk ka një justifikim thelbësor për vonesën në zgjedhjen e një Drejtori të ri të Përgjithshëm, roli i të cilit është vendimtar për performancën e RTSH si media e vetme e shërbimit publik në Shqipëri. Ne jemi të shqetësuar edhe për propozimet e drejtorit të ngarkuar në detyrë të institucionit për ndryshimin e strukturës organizative të RTSH të cilat janë në kundërshtim me mandatin e tij si ushtrues i kësaj detyre. Kjo periudhë tranzicioni mund të çojë në abuzim të mundshëm të pushtetit dhe shtrembërim në funksionimin e RTSH e cila mund të ndikojë potencialisht në lirinë e përgjithshme të mediave në Shqipëri ”, thuhet në letër.

    Rrjeti SafeJournalists gjithashtu shprehu shqetësimin e tij po ashtu në lidhje me krijimin e një Agjencie të re për Media dhe Informacion, e cila do të centralizojë të gjithë komunikimin publik qeveritar, do të monitorojë mediat dhe do të udhëhiqet nga zëdhënësi i qeverisë, pozicioni i të cilit do të jetë “në të njëjtin nivel me atë të një ministër shteti ” dhe raportimi do të kryhet në Zyrën e Kryeministrit.

    Në letër thuhet se rrjeti është i shqetësuar nga praktika e centralizimit të komunikimit dhe mbyllja e dyerve për gazetarët, veçanërisht gazetarët e pavarur, kritikë dhe investigues duke penguar lirinë e medias në Shqipëri.

    Ata gjithashtu kërkuan në leter reagimin dhe mbështetjen e aktorëve përgjegjës, në mënyrë që në Shqipëri të sigurohet respektimi i standardeve evropiane të lirisë së shprehjes dhe medias.

    Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt, që mbledh më shumë se 8,200 anëtarë në Ballkanin Perëndimor, i përbërë nga shoqatat e gazetarëve (Shoqata e Gazetarëve Bosnje dhe Herzegovinë, Sindikata e Mediave të Malit të Zi, Shoqata e Gazetarëve Kroatë, Shoqata e Gazetarëve të Kosovës, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë), përfshirë gazetarë nga Shqipëria të veprojnë në rast të shkeljes së të drejtave të gazetarëve, që rrezikojnë sigurinë e tyre dhe kufizimin e lirive të medias.