SafeJournalists: Dënojmë kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi

    0
    90
    photo: canva

    Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër kërcënimin e drejtpërdrejtë me jetë ndaj themeluesit të Civil Media, Xhabir Deralla në Maqedoninë e Veriut, si dhe sulmin ndaj gazetarit të televizionit N1, Mladen Savatovic, gjatë mbulimit të drejtpërdrejtë të protestave në Beograd, Serbi.

    Themeluesi i Civil Medias, Xhabir Deralla, ka marrë një kërcënim në faqen zyrtare të “Nova TV Web”, në rrjetin social Facebook, ku një profil i quajtur Aleksandar Antiq ka shkruar një “Plumbi do të godasë pa marrë parasysh se ku është.”

    Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë ka raportuar për këtë kërcënim në MPB, ndërsa apeli i është drejtuar Departamentit për krime kompjuterike dhe forenzikë digjitale në MPB.

    Këto lloj kërcënimesh me jetë janë krime të përfshira në Kodin Penal në Maqedoninë e Veriut, për autorët e të cilave parashikohet dënim me burg. Ministria e Brendshme dhe Prokuroria Publike duhet të hetojnë dhe procedojnë menjëherë për të ndëshkuar ata që shkelin ligjin dhe për të parandaluar krime të tilla në të ardhmen.

    Gazetari i televizionit N1, Mladen Savatovic, është sulmuar të hënën gjatë raportimit direkt. Siç thotë ai, një i panjohur e ka ndërprerë dhe i ka hedhur sende, e më pas e ka sulmuar fizikisht.

    “Kjo ishte në mes të një transmetimi të drejtpërdrejtë. Ai erdhi dhe ndaloi, Abërtiti diçka si ‘dhelpër, dhelpër’ dhe më pas u afrua ngadalë. Kur kuptova se do të përpiqej të hidhej para kamerës ose të më sulmonte në mes të lidhjes direkte, e pyeta ‘çfarë po pret saktësisht’, pas së cilës ai u tregua i vrazhdë dhe po më drejtohej në fytyrë. Më pas reagova me afekt dhe i thashë se do ta gjente policia duke menduar se do të ikte. Megjithatë, ai u bë edhe më agresiv dhe pikërisht atëherë qytetarët që ishin aty vrapuan për të ndihmuar”, ka thënë Savatovic për IJAS. Ai gjithashtu ka treguar se në vendngjarje kanë qenë disa policë me rroba civile, por që nuk kanë reaguar për të ndërmarrë veprime për garantim të sigurisë dhe hetimin e rastit. Savatovic thirri policinë, e cila u shfaq dhjetë minuta pas incidentit, por sulmuesi ishte arratisur ndërkohë. Policia bëri një shënim dhe e udhëzoi gazetarin që të nesërmen të shkonte në komisariat për të denoncuar sulmin.

    Prokuroria e Lartë Publike në Beograd dje njoftoi se kishte hapur një rast për “ekzistencën e bazave të dyshimit se është kryer vepra penale e sjelljes së dhunshme në tubim publik”.

    “Këto kërcënime janë sulme të drejtpërdrejta jo vetëm ndaj këtyre gazetarëve, por edhe mbi thelbin e lirisë së shtypit dhe demokracisë në të dy vendet. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të veprojnë shpejt dhe me vendosmëri në ndëshkimin e autorëve sipas ligjeve kombëtare. Ne do të ngrihemi gjithmonë për sigurinë e gazetarëve dhe të drejtën themelore për lirinë e fjalës. Ne solidarizojmë me kolegët tanë dhe i rezistojmë çdo forme të kërcënimit apo dhunës ndaj gazetarëve”, deklaroi Dragan Sekulovski, Drejtor i Rrjetit SafeJournalists.

    Rrjeti SafeJournalists, i cili përfaqëson profesionistët e medias në Ballkanin Perëndimor, i  bashkohet anëtarëve të tij ZNM dhe IJAS në dënimin e ashpër të kërcënimeve të drejtuara ndaj gazetarëve, si dhe sulmin fizik ndaj gazetarit serb. Rrjeti u bën thirrje institucioneve kompetente në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, që të reagojnë menjëherë dhe të gjejnë dhe ndëshkojnë në mënyrë adekuate autorët, dhe në këtë mënyrë të tregojnë vendosmërinë e tyre për të mbrojtur punonjësit e mediave.

    Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për këto raste.

    Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

    Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 27.12.2023

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

    Asociacioni i Gazetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës

    Asociacioni i Gazetarëve të Kroacisë

    Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

    Sindikata e Mediave në Malin e Zi