SafeJournalists: I papranueshëm pezullimi i licencës së biznesit të Klan Kosova

    0
    92
    photo: canva

    Rrjeti SafeJournalists është tejet i shqetësuar për vendimin e mbrëmshëm të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që konfirmon pezullimin e licencës së biznesit të Klan Kosova.

    Ky vendim rrezikon pluralizmin dhe lirinë e medias, duke dërguar një mesazh të fortë edhe televizioneve të tjera. Teksa, Klan Kosova ka deklaruar se do të dërgojë vendimin në gjykatë.

    Rrjeti SafeJournalists dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) janë të shqetësuar për këtë vendim. AGK-ja, mendon se ky vendim ka qenë i motivuar politikisht që nga fillimi nga partia në pushtet dhe Qeveria e Kryeministrit Kurti në përpjekjet e tyre për të rrëzuar mediumin më të madh privat në Kosovë. Ata gjithashtu konsiderojnë se ky vendim thekson sulmin e hapur dhe të paprecedent të Qeverisë kundër medias, i cili shërben si një sinjal që televizione të tjera mund të jenë të caku i radhës.

    Jemi plotësisht të tronditur të shohim Qeverinë e Kosovës dhe Kryeministrin Kurti të shkojnë deri në këtë masë, duke marrë një vendim për të mbyllur Klan Kosova. Ne e shohim këtë si një tentativë brutale për të nënçmuar lirinë e medias në Kosovë dhe si një luftë të hapur dhe të pa precedent të kësaj Qeverie kundër medias në vend. Ne kemi frikë se ky vendim për televizionin më të madh në Kosovë është vetëm një paralajmërim për atë që mund të vijë për mediat e tjera në të ardhmen, të cilat nuk pëlqehen nga partia në pushtet. Ndërsa rasti shkon në gjykatë, ne besojmë se do të marrë një vendim të drejtë për të lejuar Klan Kosova të vazhdojë operacionet pa pengesa” – tha Xhemajl Rexha, kryetar i Bordit të AGK.

    Platforma SafeJournalists, e cila përfaqëson më shumë se 8 mijë e 200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, ndanë shqetësimin me AGK-në, dhe i kërkon organizatave ndërkombëtare gazetareske të dënojnë këtë veprim të autoriteteve të Kosovës.

    Platforma gjithashtu kërkon nga gjykata të kthejë këtë vendim të pavlefshëm të Qeverisë dhe kështu të tregojë se mbrojnë demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve.

    Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve. Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb – Tiranë, 29.07.2023

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

    Asociacioni i Gazetarëve të BH

    Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

    Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

    Sindikata e Mediave të Malit të Zi