Sulmet ndaj gazetarëve mbeten të pandëshkuara në Shqipëri

    0
    200

    Gazetarët dhe punonjësit e tjerë të medias në Shqipëri u përballën gjatë vitit 2021 me sulme fizike, veç presioneve dhe fyerjeve nga zyrtarë të lartë përfshi kryeministrin, por për asnjë prej këtyre sulmeve të ndodhura gjatë vitit nuk ka përgjegjës të ndëshkuara.

    Shqetësimi u ngrit të mërkurën gjatë një takimi të organizuar nga Këshilli i Evropës dhe qendra Respublika, ku të ftuar ishin gazetarë, përfaqësues nga organizata të medias, Jutta Gützkow, drejtuese e Këshillit të Evropës në Tiranë, ambasadori i Delegacionit Evropian në Shqipëri, z.Luigi Soreca dhe përfaqësues të disa institucioneve të drejtësisë në vend.

    Flutura Kusari, eksperte e Këshillit të Evropës pranë Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Mediave, tha gjatë takimit se nga 6 raste të dhunës ndaj gazetarëve në Shqipëri raportuar nga “Safe Journalist”, asnjë nuk ishte zbardhur dhe askush nuk ishte ndëshkuar.

    “Kemi një kulturë të pandëshkueshmerisë. Gjithashtu, Shqipëria nuk duket shumë e interesuar në bashkëpunimin në platformat evropiane të raportimit të rasteve të dhunës ndaj gazetarëve”, u shpreh Kusari.

    Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e rolit të organeve shtetërore në parandalimin e rasteve të dhunës apo intimidimit ndaj gazetarëve, ashtu si edhe detyrimin që këto raste të ndëshkohen.

    “Institucionet shtetërore duhet të punojnë në dy aspekte, e para për të parandaluar sulmet ndaj gazetarëve, dhe e dyta nëse këto ndodhin, duhet bërë investigimi në kohë reale, pasi shumica e sulmeve të ndodhura deri tani janë akoma të  pandëshkuara”, u shpreh Kristina Voko, drejtore ekzekutive e BIRN Albania.

    Gazetarja Anila Hoxha theksoi se fakti që gazetarët më të mirë të kronikës janë larguar  nga Shqipëria për të kërkuar azil jashtë vendit për shkak të kërcënimeve që ata kanë marrë në të kaluarën, është alarmant.  “Gazetari nuk është armiku i institucioneve, por kërkues i të vërtetës”, tha Hoxha.   Hoxha tha se shihte dhunë në përpjekjen e institucioneve për të bllokuar aksesin në informacion.

    I pranishëm në takim gazetari Matthew Caruana Galizia, i biri i gazetares malteze të vrarë për shkak të detyrës në vitin 2017, Daphne Caruana Galizia, tha se krimi ende mbetej i pandëshkuar.

    Ambasadori i Delegacionit Europian në Shqipëri, z.Luigi Soreca tha gjatë fjalës së tij se asnjë gazetar nuk duhet të cenohej “dëmtohet apo të vritet për shkak se është duke kryer detyrën e tij”. Soreca tha se ishte e nevojshme që ndaj këtyre rasteve të kishte tolerancë zero. “Të gjitha këto raste duhet të ndiqen nga prokuroria”, vijoi Soreca.

    Por përfaqësues të Prokurorisë së Tiranës dhe Policisë së Shtetit, e akuzuar disa herë për dhunë ndaj gazetarëve, të pranishëm në takim nuk ishin në gjendje të referonin raste të zbardhura të incidenteve edhe pse këmbëngulën në respektin për lirinë e medias dhe gazetarëve.

    Përfaqësues të institucioneve të drejtësisë deklaruan se po ndërtonin institucione transparente.  “Media është syri vigjilent i publikut, dhe për këtë Këshilli i Lartë Gjyqësor ka një gjyqtar të posaçëm për median”, u shpreh Erjon Muharremaj, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, një prej institucioneve të reja të drejtësisë i kritikuar shpesh për mungesë të transparencës në emërimet e funksionarëve të lartë në gjykata.

    Gazetarja Klodiana Lala iu referua pikërisht kësaj mungese transparence në fjalën e saj, kur tha gjatë takimit se këto institucione jo vetëm nuk e kishin përmirësuar qasjen në informacion, por e kishin përkeqësuar atë.

    “Kur nisi reforma në drejtësi, më dukej gjëja më e rëndësishme që mund t’i ndodhte Shqipërisë, por aktualisht jam shumë e shqetësuar, sepse institucionet jo vetëm që nuk janë bërë më transparente, por janë kthyer praktikisht në bunkerë”, tha Lala. Ajo përmendi edhe një formular akreditimi nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë i kritikuar si përpjekje për censurë nga gazetarët.

    Kristina Voko nga BIRN Albania, e cila moderoi takimi, theksoi rëndësinë e transparencës në organet ligjzbatuese.  “Nëse do të harxhohej më pak energji në ngritjen e PR nga institucionet, dhe më shumë energji në ngritjen e transparencës pro aktive të tyre, situata e lirisë së medias në Shqipëri do të ishte shumë më e mirë”, u shpreh Voko.

    Gjatë takimit u prezantua erdhe një raport i Këshillit të Evropës  dhe instrumentit ë mbështetje të gazetarëve të quajtur “Platforma e Mbrojtjes së Gazetarisë dhe Sigurisë së Gazetarit”, si mekanizëm dialogu midis qeverive dhe organizatave të gazetarëve në Evropë.

    Sipas të dhënave të kësaj platforme, në 2021 ka pasur 233 raportime për cënim të gazetarëve në 34 vende evropiane, ku prej tyre rezultojnë 6 gazetarë të vrarë dhe 99 të tjerë në paraburgim. Vetëm 4 prej këtyre rasteve janë zgjidhur.

    Burimi: https://www.reporter.al/sulmet-ndaj-gazetareve-mbeten-te-pandeshkuara-ne-shqiperi/?fbclid=IwAR1pczpaZ2mqUziCm0Q8NuFigXqgX2ps51-buTgNRVfw7QfWLgr7j74CZYU