Raporti i “Freedom House”: Shqipëria asnjë përparim në standardet demokratike

0
143
Source/Author: https://citizens-channel.com/2022/04/20/raporti-i-freedom-house-shqiperia-asnje-perparim-ne-standardet-demokratike/
Source/Photo: https://citizens-channel.com/2022/04/20/raporti-i-freedom-house-shqiperia-asnje-perparim-ne-standardet-demokratike/

Vlerësimi për demokracinë e Shqipërisë ka mbetur i pandryshuar krahasuar me atë të një viti më parë, sipas raportit të fundit të Freedom House.

Shqipëria ka marrë 3,75 pikë për demokracinë ose 46%, duke e lënë të pandryshuar vlerësimin. Një vit më parë Shqipëria shënoi ulje krahasuar me 2020.

Raporti i përvitshëm i titulluar “Kombe në Tranzicion” analizon 29 shtete dhe konsiderohet si një barometër, i cili tregon ecurinë e demokracisë bazuar në matjen e disa elementëve si: procesi zgjedhor, shoqëria civile, pavarësia e medias, qeverisja lokale, korrupsioni dhe kuadri ligjor.

Dy vitet e fundit, vendi nuk ka shënuar rritje në asnjë nga 7 kriteret e vlerësimit. Shqipëria vijon të cilësohet si një vend me “demokraci hibride” ose në “tranzicion”. Në këtë kategori renditen të gjitha ato vende ku institucionet demokratike nuk janë të forta ose “janë të brishta”.

Aktualisht janë gjithsej 11 vende kategorizuar si regjime hibride në Kombet në Tranzit”, thotë raporti.

Sipas Freedom House, qeverisja në nivel lokal në Shqipëri është demokratike por “e dominuar nga politika partiake klienteliste”.

Raporti vlerëson se në përgjithësi zgjedhjet janë konkurruese por “shpesh dëmtohen nga blerja e votës, manipulimi dhe mangësi të tjera”.

Sipas raportit, opozita duhet të shkëputet nga status quo-ja për të qenë faktor i besueshëm dhe shton se Partia Demokratike në Shqipëri nuk e ka plotësuar këtë kriter. “Demokratët perceptohen po aq të korruptuar sa Partia Socialiste në pushtet”, thotë raporti.

“Shoqëria civile dhe mediat”

Për shoqërinë civile Freedom House shprehet se luan një rol aktiv në raport me debatin dhe interesat publike, por nënvizon se ka probleme me financimin dhe shton se “vuan nga mospërfshirja e duhur në konsultimin e politikave, siç kërkohet me ligj”.

Raporti vlerëson se media në Shqipëri është pjesërisht e pavarur. Sipas “Freedom House” shumica e pronarëve të medias e përdorin atë për të lobuar tek qeveria dhe partitë politike.

Pavarësia e shtypit është vlerësuar me 3,5 pikë duke mos ndryshuar nga vlerësimi që kishte në 2021.

Gazetarët u përballën me sfida në 2021 për shkak të kërcënimeve. Raporti permënd se rreth tetë persona kontrollojnë pjesën më të madhe të tregut medietik në Shqipëri.

‘Freedom House’ vlerëson se mediat mbështeten “në shantazhimin, ose diskreditimin e personave, që flasin kundër interesave të tyre, ose partive politike, që ato mbështesin”.

Raporti thotë se “përmbajtja e shtypit shqiptar vijoi të përkeqësohej në vitin 2021, me një rritje të numrit të emisioneve televizive, që kryesisht ndajnë opinione të pabazuar në prova, ose fakte të verifikueshme”.

“Sistemi i drejtësisë dhe korrupsioni”

Edhe në sistemin e drejtësisë Shqipëria nuk ka shënuar rritje. Që nga nisja e procesit të verfikimit të gjyqatrëve dhe prokurorëve, pritshmëritë janë për një sistem më efektiv por sipas raportit ende nuk ka prova të qarta se sistemi i ri i drejtësisë po vepron në mënyrë të lirë.