Reagim i AGK-së mbi gjuhën e Agron Bekës ndaj emisionit “Betimi për Drejtësi”

0
99

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, është njoftuar për akuzat që anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës – KPK, Agron Beka, i ka bërë ndaj emisionit “Betimi për Drejtësi”, në mbledhjen e KPK-së, të enjten.

Më 18 shkurt 2023 në KTV, është transmetuar emisioni “Betimi për Drejtësi”, me titull “Përplasjet institucionale për Agron Bekën”, në të cilin Beka ishte protagonist i shpërfaqur përmes kallëzimeve penale, si i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Beka në mbledhjen e KPK-së, ka akuzuar se përmbajtja e emisionit televiziv ka qenë “e porositur”, dhe ka krahasuar atë me sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe emisioni “Betimi për Drejtësi”, i kanë reaguar Bekës, duke thënë se “kanë zhvilluar hulumtimin në përputhje të plotë me të gjitha standardet më të larta etike dhe profesionale, duke prezantuar fakte dhe dëshmi si dhe duke ju ofruar të gjitha palëve hapësirën e duhur për tu intervistuar për ta dhënë versionin e tyre”.

AGK-ja, shpreh shqetësim për gjuhën e përdorur në këtë mbledhje ndaj emisionit “Betimi për Drejtësi”, dhe bën thirrje që të mos shfrytëzohen institucionet publike për të linçuar mediet.