SafeJournalists: #HIDHDRITE mbi rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve

0
96

Anëtarët e rrjetit Safejournalist nisën fushatën #HIDHDRITE me rastin e Ditës Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë për krimet kundër gazetarëve, e cila shënohet sot, 2 nëntor.

Qëllimi i fushatës është ndërgjegjësimi për problemin e mosndëshkimit të sulmeve ndaj gazetarëve, i cili është i pranishëm në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Janë të pakta rastet me epilog gjyqësor dhe dënime për autorët.

Dita Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimeve kundër gazetarëve shënohet sot, 2 nëntori. Rrjeti SafeJournalists lufton çdo ditë për të përmirësuar kushtet e punës në gazetari, për të mbrojtur gazetarët dhe të drejtat e tyre.

Shumica e partnerëve brenda rrjetit tonë SafeJournalists i janë bashkuar fushatës së Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (IFJ) për miratimin e një Konvente Ndërkombëtare kushtuar mbrojtjes së gazetarëve dhe profesionistëve të medias. Për të shënuar 2 Nëntorin, IFJ u bën thirrje qeverive në mbarë botën, gazetarëve dhe grupeve mediatike që të mbështesin miratimin e Konventës së OKB-së për Sigurinë dhe Pavarësinë e Gazetarëve dhe Profesionistëve të tjerë të Medias. Sipas IFJ, pavarësisht nga shumë protokolle, udhëzime dhe propozime, gazetarët ende përballen me kërcënime çdo ditë – dhe mosndëshkimi vazhdon të përkeqësojë situatën. Nëntë në çdo dhjetë vrasje të gazetarëve mbeten të pandëshkuar.

Çdo ditë gazetarët sulmohen, rrahen, ndalohen, ngacmohen dhe kërcënohen për kryerjen e punës së tyre dhe megjithatë, nuk ka asnjë instrument ndërkombëtar detyrues që do t’i detyronte shtetet anëtare të hetojnë dhe t’u përgjigjen sulmeve kundër medias. Kërcënimet e vazhdueshme për sigurinë dixhitale të gazetarëve, duke përfshirë sulmet kibernetike, vjedhjen e të dhënave, hakerimin dhe ngacmimin në internet, kërcënojnë sigurinë e profesionistëve të lajmeve duke e bërë edhe më urgjente miratimin e një instrumenti që do t’i detyronte qeveritë të adresojnë mosndëshkimin. Të gjitha sa më sipër, si dhe zhgënjimi në rritje me mungesën e veprimeve dhe, në shumë raste, mungesën e vullnetit për të trajtuar krizën e mosndëshkimit – bëri që IFJ të niste një fushatë për miratimin e një Konvente Ndërkombëtare kushtuar mbrojtjes se gazetarëve dhe profesionistëve të medias.

Për të rritur edhe më shumë ndërgjegjësimin për rëndësinë e çështjes së punës gazetareske dhe mbrojtjen e gazetarëve sy e vesh të demokracisë, ruajtesit e saj, nisim fushatën. #HIDHDRITE.

Mbi çfarë duam të hedhim dritë? Ne duam që 160 rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve që ndodhën në vitin 2021 në Ballkanin Perëndimor të marrin një epilog gjyqësor. Janë raportuar 179 sulme dhe kërcënime ndaj gazetarëve në institucionet kompetente në vitin 2021 në rajonin e Ballkanit Perëndimor (Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Mal të Zi, Kroaci dhe Shqipëri). Nga ky numër, vetëm 19 raste janë zgjidhur para gjykatës si aktgjykime të shkallës së parë dhe të formës së prerë, nga të cilat 12 ishin dënime.

Jemi të shqetësuar për numrin e madh të rasteve të pazgjidhura dhe numrin e vogël të autorëve të dënuar. Rrjeti Safejournalists kërkon nga organet kompetente që të marrin të gjitha masat në mënyrë që rastet të procedohen në mënyrë më efikase dhe të shpejtë dhe në këtë mënyrë të tregohet gatishmëria e shtetit në luftën kundër mosndëshkimit sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’u dërgojmë mesazh të qartë autorëve të mundshëm se një sjellje e tillë është e papranueshme.